3 PLUS 1

Alternativa e Lëvizjes BASHKË

Shqipëria gjendet në udhëkryq. Së bashku duhet t’i japim vendit drejtimin e zhvillimit të qëndrueshëm, mirëqenies, demokracisë dhe drejtësisë shoqërore. Ky ndryshim i madh kërkon tre dimensione të reja të shtetit dhe një shoqëri aktive.

  1. Shteti zhvillimor

    Politikat shtetërore duhet të nxisin zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, që thekson konkurrencën mes sipërmarrjeve, rrit punësimin dhe produktivitetin, si dhe ruan ekuilibrat mjedisorë.

    • Bujqësia: Rritja e produktivitetit bujqësor kërkon rritjen e mbështetjes për fermerët në nivelin e vendeve të rajonit dhe transparencë në shpërndarjen e fondeve. Masa të tjera të rëndësishme janë: pajisja e fermerëve me certifikata pronësie, rregullimi i pikave të grumbullimit dhe shitjes së inputeve bujqësore, nxitja e krijimit të Shoqërive të Bashkuara Bujqësore (SHBB) sipas modelit evropian, krijimi i instituteve moderne këshillimore, themelimi i Bursës së Produkteve Bujqësore dhe rehabilitimi i kanaleve kulluese e vaditëse.
    • Industria: Rimëkëmbja dhe modernizimi i saj kërkon marrjen në kontroll publik të pasurive të nëntokës, modernizimin e industrive përpunuese dhe hapjen e industrive të reja. Kjo do të realizohet përmes politikave fiskale mbështetëse dhe mbikëqyrjes së cilësisë së prodhimit për eksport. Në këtë mënyrë do t’i mundësohet Shqipërisë jo vetëm të përpunojë naftën dhe mineralet e veta, por edhe të rrisë cilësinë e prodhimit në industritë ushqimore, tekstile, kimike, duke nxitur njëkohësisht sipërmarrjet e teknologjisë së informacionit dhe ato që prodhojnë pjesë të industrisë automotive.
    • Shërbimet: Rritja e cilësisë së këtij sektori do të mundësohet nga politika mbështetëse për ndërmarrjet dhe individët që ofrojnë shërbime të kualifikuara. Si sektori kryesor i shërbimeve, duhet mundësuar zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit, i cili zgjat kufijtë e sezonit turistik dhe siguron vende pune afatgjata e të mirëpaguara, duke kufizuar impaktin në mjedis dhe rigjeneruar burimet.
    • Infrastruktura moderne kërkon lidhjen e qendrave rurale me qendrën më të afërt urbane me rrugë të kategorisë urbane dytësore, lidhjen e Tiranës me sistem hekurudhor me portet dhe qytetet kryesore të vendit dhe stacionin më të afërt hekurudhor të shteteve fqinje. Po ashtu, nevojiten rritja e prodhimit energjetik, përmes investimeve në përmirësimin e rrjetit ekzistues shpërndarës të energjisë elektrike, dhe nxitja e përdorimit të burimeve të tjera të rinovueshme.
    • Rritja e buxhetit për zhvillimin e qëndrueshëm kërkon politika fiskale që nxisin rritjen e produktivitetit të bizneseve të vogla e të mesme, lehtësojnë themelimin e start-up-eve dhe industrive të reja me potencial të madh produktiv. Rritja e mirëqenies kërkon taksim të drejtë dhe vërtet progresiv, ristrukturim të taksave me efekt direkt mbi konsumin e të mirave bazike (si p.sh. TVSH dhe akcizat), ristrukturimin e barrës tatimore jo vetëm mbi të ardhurat, por edhe mbi kapitalin dhe pasurinë e akumuluar, duke shkurajuar rentën dhe nxitur fitimin që vjen prej kreativitetit në investime.
  2. Shteti social

    Shteti duhet të kujdeset që çdo qytetar të gëzojë një nivel të denjë jetese dhe të përfitojë nga shërbime publike cilësore.

    • Minimumi jetik prej 20,000 lekësh (të reja) është detyrim bazik, i cili do të ngrinte në nivelin e jetueshmërisë pensionet sociale, ndihmën ekonomike, asistencën e papunësisë dhe pagesat për personat me aftësi të kufizuara.
    • Paga minimale prej 60,000 lekësh të reja do të jetë masa më e rëndësishme për frenimin e emigrimit të forcës punëtore dhe rritjen e produktivitetit të punës në ekonominë shqiptare.
    • Pensionet mund të bëhen të jetueshme vetëm nëse llogariten mbi bazën e minimumit jetik dhe arrijnë një mesatare nga rreth 17,000 lekë (të reja), sa ç’janë sot, në 32,000 lekë (të reja).
    • Shëndetësia publike cilësore dhe vërtet falas është e arritshme përmes rritjes së investimeve publike në aparatura moderne, shtimit të numrit dhe përmirësimit të cilësisë së ilaçeve të rimbursueshme, anulimit të koncesioneve korruptive, luftës ndaj korrupsionit në shërbimin spitalor dhe rritjes së pagave të punonjësve shëndetësorë.
    • Arsimi: Rimëkëmbja e arsimit si formues i punonjësve të kualifikuar dhe qytetarëve të virtytshëm, duke frenuar ikjen e të rinjve nga Shqipëria, do të arrihet përmes përmirësimit të infrastrukturës arsimore, nxitjes së kualifikimit të mëtejshëm të mësimdhënësve dhe vlerësimit ekonomik të tyre, shndërrimit të arsimit parauniversitar sipas modelit të edukimit me orar të zgjatur, përgjysmimit të tarifave universitare dhe hartimit të politikave mbështetëse për studentët, si dhe vendosjes së kritereve objektive të vlerësimit të punës së pedagogëve.
    • Strehimi: Sigurimi i strehimit të përshtatshëm, të sigurt dhe të përballueshëm nga të gjithë kërkon formalizimin e tregut të shitblerjes dhe qirave, taksimin progresiv të shtëpive të shumëfishta, duke nxitur futjen në treg të shtëpive të pabanuara, dhe rritjen e buxhetit të shtetit për strehimin social drejt standardeve evropiane.
  3. Shteti i së drejtës

    Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm dhe politika sociale të rëndësishme nëse nuk luftohen në rrënjë korrupsioni, klientelizmi, evazioni fiskal dhe informaliteti në punë dhe në paga. Këta objektiva do të arrihen përmes:

    • Themelimit të një agjencie të pavarur antikorrupsion.
    • Fuqizimit të institucioneve mbikëqyrëse dhe gjyqësore për të luftuar korrupsionin.
    • Rritjes së mbrojtjes për sinjalizuesit antikorrupsion dhe garantimit të statusit të viktimave të korrupsionit në proceset gjyqësore.
    • Konsolidimit të procesit ligjvënës duke garantuar transparencën në hartimin e ligjeve, rregullimin e lobimit dhe përfshirjen e qytetarëve në konsultime dhe vendimmarrje.
    • Forcimit të rregullave për konfliktin e interesit dhe deklarimin e pasurisë, duke vendosur sanksione më të përshtatshme dhe shtuar kapacitetet e mbikëqyrjes.
    • Reformimit të administratës publike duke i bazuar rekrutimet kryekëput mbi kriterin e meritës dhe vlerësuar punën e çdo punonjësi me kritere objektive, çka do të rrisë ndjeshëm efektivitetin e shërbimeve publike dhe të luftës ndaj evazionit dhe informalitetit.
  4. Shoqëria aktive

    Reformimi i shtetit kërkon angazhimin e shoqërisë, iniciativat qytetare dhe organizimin e shtresave shoqërore sipas vendit të punës, profesionit, vendbanimit dhe botëkuptimeve. Për të nxitur pjesëmarrjen e shoqërisë nevojiten:

    • Ndryshime kushtetuese dhe ligjore që mundësojnë referendumet kombëtare dhe lokale afirmative. Për referendumet kombëtare, numri i nënshkruesve duhet të ulet në 30,000 qytetarë.
    • Lehtësimi i iniciativave ligjore të qytetarëve duke ulur në 10,000 numrin e nënshkruesve dhe vendosur në 6 muaj afatin kohor të detyrueshëm të shqyrtimit të projektligjit nga Kuvendi.
    • Fuqizimi i organizimit sindikalist të punëtorëve duke ringritur Ministrinë e Punës, duke ulur në dhjetë numrin minimal të punëtorëve për të themeluar një sindikatë dhe ashpërsuar masat ndaj punëdhënësve që pengojnë punëmarrësit e tyre të organizohen sindikalisht. Fuqizimi i sindikatave do të reduktojë ndjeshëm rrezikun e jetës dhe shëndetit në punë, si dhe do të nxisë formalizimin e punës, kontratat kolektive e afatgjata dhe respektimin e kufijve ligjorë të ditës/javës së punës.
    • Dhënia e elementëve të vendimmarrjes grupeve të organizuara shoqërore lidhur me vendimet që prekin të drejtat e tyre.

Bashkohu në Lëvizjen BASHKË!