Në 14 njësitë administrative kryesore të Tiranës, Bazat e lëvizjes po organizojnë takime të përjavshme me qytetarë për mbledhjen e sugjerimeve për problematikat me të cilat përballet qyteti. Mes nesh kemi profesionistë të ndryshëm të cilët japin kontributin e tyre në zgjidhjet konkrete të problemeve. Takimet janë të hapura për këdo që do të marrë pjesë, anëtarë të lëvizjes ose jo, duke u përfshirë në një procees transparent për hartimin e një programi nga qytetarët për Tiranën.
Ne besojmë te demokracia e drejtpërdrejtë, te programet politike që dalin nga shumësia e kërkesave dhe e prioriteteve të vetë qytetarëve. Grupet e aktivistëve tanë në çdo lagje kanë detyrën të mbledhin, të shtjellojnë dhe të integrojnë propozimet e mbledhura në një program të vetëm përfundimtar. Ky projekt kërkon kontributin dhe gjithëpërfshirjen e shumëkujt, secili sipas aftësive specifike dhe resurseve, për një vizion që ndahet nga të gjithë.
Programi i hartuar do jetë pikënisja e një dialogu me qytetarët, por që do vazhdojë gjatë në kohë në të gjithë rrugëtimin tonë politik. Programi politik nuk do jetë thjesht një listë me premtime elektorale, por do të jetë vizioni për të cilin do të luftojmë brenda Këshillave Bashkiakë, do të jetë dokumenti për të cilin nesër do duhet të mbajmë përgjegjësi përpara qyetarëve që na kanë votuar.
Në kuadër të këtij programi ju ftojmë të ndani shqetësimet dhe propozimet tuaja në këtë platformë. Më poshtë mund të listoni problematikat që hasni në përditshmërinë tuaj në qytetin e Tiranës, duke i listuar sipas prioriteteteve që ju besoni se ato kanë.