
Bashkë për Minimumin Jetik
Më 2 tetor 2022, aktivistët e Organizatës Politike shpallën hapjen e fushatës për iniciativën e një projekligji nga qytetarët për njohjen zyrtare të Minimumit Jetik në Shqipëri.
Miratimi i këtij projekligji është një nevojë jetike e vendit tonë, në kushtet ku rreth 900 mijë shqiptarë jetojnë nën kufirin e varfërisë, ku pagat dhe pensionet janë më të ulëtat në rajon, dhe ku çmimet e produkteve bazike u disa-fishuan si pasojë e krizës energjitike.
Fushata e Kartës Sociale
Më 20 tetor 2021, aktivistët e Organizatës Politike ndërmorën fushatën mbarëkombëtare për prezantimin e Kartës Sociale. Për 6 muaj aktivistët shkuan në Kukës, Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Ballsh, Bulqizë, Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë, për prezantimin e 12 pikave që kanë përbërë prej vitesh vizionin tonë për një shtet social dhe një shoqëri më të drejtë. Në çdo qytet u takuam me qytatarë të shumtë dhe diskutuam për mundësitë e angazhimit për arritjen e këtyre synimeve. Fushata u përmbyll me manifestimin e muajit maj 2022.
Klikoni për t’u njohur me propozimet e Kartës Sociale.


Protesta te Parku i Autobusëve
Më 29 qershor të vitit 2017, vetëm katër ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme, klientët e Bashkisë së Tiranës dhe Erion Veliajt rrethuan një prej lulishteve të fundit të mëdha të ngelura në qytet, atë pranë ish-Parkut të Autobusëve. Edhe pse ruajtja e lulishtes dhe investimet në të kishte qenë një nga premtimet më të mëdha zgjedhore, babëzia betonizuese nuk priti as një javë të vazhdonte misionin e saj shkatërrues. Qytetarët e zonës u organizuan dhe reaguan kundër kësaj padrejtësie – duke larguar gardhin, nënshkruar kërkesa e peticione, por edhe me protesta të përditshme.
Kauza për transport publik
Transporti publik në Tiranë ka përbërë gjithmonë një makth për qytetarët dhe një burim pasurimi për spekulantët që e kanë monopolizuar atë dhe për kryetarin e bashkisë Erion Veliajn.
Ne, aktivistët e Organizatës Politike, jemi angazhuar që në kohën kur kryetar ishte Lulzim Basha, për të kundërshtuar përpjekjet e vazhdueshme për shtrenjtimin e biletës së autobusit.


Vrasja e Ardit Gjoklajt
Më 7 gusht 2016 në landfillin e Sharrës u vra në punë djaloshi 17-vjeçar Ardit Gjoklaj. Megjithëse kushtet e punës në koncesionin e dhënë nga Erion Veliaj ishin të tmerrshme, prokuroria bëri një vesh shurdh e një sy qorr duke hetuar vetëm fadromistin. Sot e kësaj dite nuk ka hetim mbi përgjegjësinë e Erion Veliajt në dhënien me koncesion të landfillit të Sharrës një eksponenti të Partisë Socialiste.
Parku i Liqenit Artificial në Tiranë
Në muajt shkurt-mars 2016, aktivistët e grupimit Qytetarët për Parkun dhe aktivistët e Organizatës Politike u angazhuan në kundërshtimin e projektit të kryebashkiakut Erion Veliaj për tjetërsimin e Parkut të Liqenit, të vetmes hapësirë të gjelbër të qytetit.


Aksione kundër pushtetarëve
Aktivizmi ynë në këto 12 vjet nuk ka konsistuar vetëm në ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe përpjekjen për organizim, por edhe në konfrontimin e drejtpërdrejtë me pushtetarët që e shtypin dhe e vjedhin këtë popull. Këtu është një listë me aksionet kundër pushtetarëve të Partisë Socialiste (që ka qenë në pushtet në 10 vjetët e fundit), aksione të cilat asnjëra nga partitë opozitare nuk ka patur interesin – e aq më pak guximin – që t’i kryejë.
Kauza për barazi gjinore
Ne, aktivistët e Lëvizjes BASHKË, luftojmë për një shoqëri fund e krye të emancipuar, në të cilën gratë e burrat të jenë të barabartë në gjithçka; ku nuk mjafton të shfrytëzohemi e nëpërkëmbemi njëlloj, por të ndërtojmë së bashku një shoqëri barazisht të begatë e të lirë.


Kauza mjedisore
Prej vitesh kemi luftuar kundër degradimit mjedisor dhe synojmë një model zhvillimi që u jep përparësi burimeve energjetike të rinovueshme dhe merr seriozisht në konsideratë të drejtën e njerëzve për një mjedis të pastër e të shëndetshëm. Ne nuk e shikojmë të ndarë çështjen mjedisore nga lufta për më shumë të drejta për punëtorët, studentët dhe shtresat e margjinalizuara të shoqërisë. Në transportin ndërurban duhet parë me përparësi rimëkëmbja e sistemit hekurudhor, ku qytetarët do të mund të udhëtonin lirë e shpejt. Të tilla masa jo vetëm do të lehtësonin trafikun dhe lëvizjen në qytet dhe mes zonave urbane, por edhe do të kishin një ndikim shumë të madh në reduktimin e ndotjes së mjedisit.
Protesta kundër armëve kimike
Organizata Politike iu bashkua thirrjes së Aleancës Kundër Importit të Plehrave, duke vlerësuar autoritetin e saj moral në luftën kundër importimit të plehrave, që në takimin e 9 nëntorit, kur po përvijohej gjithnjë e më dukshëm publikisht rreziku i importimit dhe çmontimit të armëve kimike siriane. Po ashtu, iu bashkëngjitëm protestës ndërgjegjësuese përpara selisë së Këshillit të Ministrave fill pas atij takimi.
