Kauza e minatorëve të Bulqizës
Minatorët e kromit të qytetit të Bulqizës dhe zonave përreth kanë qenë përherë një hap përpara sa i përket organizimit dhe kërkesave për punë të dinjitetshme. Ndoshta për shkak të karakterit të punës që kërkon grumbullimin masiv të tyre në disa qindra metra thellësi në brendësinë e tokës, ndoshta për shkak se puna e tyre ka rrezikshmërinë dhe numrin e fataliteteve më të lart se çdo punë tjetër.
Ata tradicionalisht, që prej rënies së regjimit kanë qenë të organizuar nëpër sindikata. Megjithatë, drejtuesit e sindikatave të vjetra gjithmonë kanë shkelur mbi interesat e minatorëve për hir të interesave personale, duke rënë në ujdi me pronarët e minierave dhe me politikanët lokalë. Kjo ka bërë që sa herë është dashur të protestojnë, minatorët të shkojnë përtej sindikatave e të vetorganizohen.
Ne, aktivistët e Organizatës Politike, kemi qenë gjithmonë në krah të minatorëve. Së bashku ne ngritëm një sindikatë të re e të pavarur. Një sindikatë nga vetë minatorët e për minatorët.
Kauza e naftëtarëve
Historia e uzinës së përpunimit të naftës ARMO është shëmbëlltyra e çdo privatizimi asetesh publike në këto 30 vjet kapitalizmi barbar në Shqipëri. Është historia e privatizimit çdo ndërmarrjeje publike prodhimi apo shërbimesh.
Privatizimi nisi me pretekstin se shteti nuk di të menaxhojë dhe nuk ka para për të investuar; del një kompani fantazmë që paraqitet si e huaj, por që pronari në fakt është një oligark shqiptar që ka rënë në ujdi me politikanët që e shtyjnë përpara privatizimin; privati sjell shkurtimin e numrit të punëtorëve, rritjen e normës së punës, shtimin e borxheve dhe eventualisht rrënimin e prodhimit/shërbimit; pasi pasurohet pa kryer asnjë investim, privati zhduket pa paguar pagat e punëtorëve dhe detyrimet ndaj shtetit.


Kauza e punëtoreve të fasonerive
Puna në fabrikat fasone të periferive është ndër më të vështirat e më të keqpaguarat. Sektori i industrisë fasone ka ardhur në rritje në dekadën e fundit, duke arritur rreth njëqind mijë të punësuar, 90% e të cilëve janë gra. Fakti që fabrika popullohen nga punëtoret gra ka bërë që me ato të abuzohet edhe më shumë se zakonisht.
Nuk janë të rralla rastet e helmimeve masive, e punës në të zezë pa sigurime, e dëshmive të grave të cilat zyrtarisht marrin pagë minimale por sapo kalojnë pragun e fabrikës për t’u kthyer në shtëpi detyrohen ta dorëzojnë gjysmën e pagës. Fabrikat fasone, së bashku me kantieret e ndërtimit dhe minierat, qenë ndër të paktat biznese që ngelën hapur gjatë pandemisë, duke u kthyer në vatra infeksioni.
Kauza e punëtorëve në call-centre
Sektori i shërbimeve telefonike – apo siç njihet ndryshe call-centre – është ndër sektorët që punëson më shumë të rinj në vendin tonë. Janë të shumtë të rinjtë e sapodiplomuar në inxhinieri, shkenca sociale etj. të cilët nuk kanë mundësi tjetër punësimi përveçse në call-centre.
Mungesa e traditës në organizimet sindikale ka bërë që të rinjtë të mos jenë të ndërgjegjshëm për të drejtat e tyre në vendin e punës. Rrjedhimisht, atyre u mohohen sigurimet, punojnë me orë të zgjatura pa kompensim, detyrohen të punojnë në ditë pushimi etj.
Këto e plot problematika të tjera na shtynë që në këtë sektor të themelojmë një sindikatë të re.


Aksione për kauzën punëtore
Në 30 vjet lirie mediatike, fjala “punëtor” është zhdukur thuajse tërësisht nga leksiku publik.
Organizata Politike, gjatë aktivitetit të vet prej 12 vjetësh është angazhuar edhe në një numër aksionesh me qëllim promovimin e kauzës punëore dhe sjelljen e saj në vëmendjen e opinionit publik.