TIRANA, KRYEQYTETI I VARFËRISË

Sot, aktivistët e Organizatës Politike kanë protestuar përpara cirkut të organizuar nga Erion Veliaj dhe Edi Rama, të cilët, bashkë me oligarkët, janë përgjegjësit kryesorë për largimin masiv të të rinjve.

Në fillim të mandatit të tij Erion Veliaj premtoi ZERO beton dhe një qytet me parqe. Sot Tirana është tërësisht e zaptuar nga kullat dhe e përmbytur nga betoni, e kundërta e asaj që paraqet Veliaj dhe kasetat e tij në mediat e blera me leje ndërtimi.

Ne e akuzojmë Erion Veliajn jo vetëm për shkatërrimin estetik të Tiranës dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, por edhe për shumë krime të tjera.

Ai është përgjegjësi kryesor për vrasjen në punë të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj dhe 47-vjeçares Myrvete Duka në landfillin e Sharrës.

Erion Veliaj është përgjegjësi kryesor për vjedhjen me incineratorin e Tiranës, sepse me firmën e tij dhe duke tejkaluar çdo procedurë ligjore, u janë akorduar miliona eurove disa anonimëve që tani janë në arrati. Kur përgjegjësi kryesor qëndron në krye të Bashkisë së Tiranës, SPAK-u përndjek të pambrojturit për një traktor.

Erion Veliaj është përgjegjësi për fytyrën neofashiste që ka marrë sot Policia Bashkiake, e cila çdo ditë përndjek të varfrit që mbledhin kanaçe apo të moshuarat që shesin buzë trotuarit, sepse ndihma ekonomike dhe pensionet janë lëmosha të pamjaftueshme.

Erion Veliaj në dy mandate si kryebashkiak ka rritur çmimin e ujit të pijshëm dhe transportit urban, edhe pse sot vazhdojmë të kemi ujë të papijshëm dhe me orar, kurse transportin urban të amortizuar dhe pa cilësi. Pafytyrësisht ai sot kërkon mandatin e tretë me premtimin e 24 orëve ujë.

Erion Veliaj dhe paratë e pista që po futen në ekonomi nëpërmjet ndërtimit e kanë rritur artificialisht çmimin e banesave, ku një njeriu që jeton me punë të ndershme i duhen dy jetë punë për të pasur një shtëpi. Tirana sot nga njëra anë ka ndërtime dhe fitime pafund, kurse nga ana tjetër shtohet numri i të pastrehëve. Kujtojmë këtu përgjimet e Ndragetës.

Rinia e Shqipërisë nuk janë nxënësit e sjellë me lista dhe ushtarët e Partisë Socialiste që duartrokasin si dekor, por të rinjtë që studiojnë dhe punojnë për të mbijetuar: në call center-a, fasoneri, dyqane, lokale, rrugë e si profesionistë të nëpërkëmbur.

Sot, në ditën tonë, të grabitur, të fyer e të tradhtuar nga një kastë politike fund e krye të korruptuar, ne të rinjtë e Shqipërisë duhet të rezistojmë dhe luftojmë për një shoqëri me mundësi ekonomike e drejtësi shoqërore.

BASHKË mund t’ia dalim!

#bashkë

Skip to content