Prej mëngjesit të ditës së sotme, me iniciativën e aktivistëve të Organizatës Politike, po mbahet kongresi themelues i Lëvizjes Bashkë. Deri në këto momente qindra anëtarë themelues kanë vendosur për krijimin e partisë dhe emrin e saj. Ndërkohë, vazhdojnë diskutimet mbi Manifestin, Statutin dhe zgjedhjen e organeve të përkohshme drejtuese.
Në thuajse 12 vite aktivizëm jemi angazhuar në kauza me ndjeshmëri të lartë shoqërore. Jemi organizuar bashkë me shumësinë qytetare që ndjen në kurriz peshën e padrejtësive. Kemi luftuar bashkë me minatorët e Bulqizës, naftëtarët e Ballshit, punëtorët e fasonerive e call center-ave, duke lënë gjurmë të rëndësishme në organizimin sindikalist. Jemi bërë bashkë me studentët kundër tarifave të larta, tjetërsimit të universitetit dhe shkatërrimit të së ardhmes së të rinjve. Kemi qenë në krah të njerëzve të thjeshtë në protestat kundër rritjes së çmimeve, përvetësimit të hapësirave publike dhe dhunës shtetërore. Kemi ngritur zërin për barazi gjinore dhe ruajtje të mjedisit. Jemi përpjekur për minimumin jetik dhe të drejta social-ekonomike. Gjithnjë jashtë institucioneve, me dëshirën për të ndryshuar kursin e tyre.
Sot, nisur nga ideja e gjithëpranuar se partitë aktuale janë instrumente të interesave të oligarkëve dhe të privilegjuarve; të vetëdijshëm se koha kërkon:
– një organizëm më të madh e të fuqishëm të artikulimit të pakënaqësive dhe aspiratave shoqërore;
– një strukturë më komplekse të mbrojtjes dhe përfaqësimit të interesave të shtresave të gjera të shoqërisë;
– një gërshetim të përpjekjes jashtë dhe brenda institucioneve;
ne, themeluesit e Lëvizjes Bashkë, me të njëjtat ideale e përkushtim, me risi në strategji e qasje ndaj shoqërisë, me besimin se vetëm populli i organizuar mund ta shpëtojë veten, shpallim botërisht ekzistencën tonë politike.
Lëvizja Bashkë do të jetë zëri i të heshtuarve.
Lëvizja Bashkë do të mbrojë me guxim të drejtat e qytetarëve.
Lëvizja Bashkë do të mishërojë aspiratat më të larta shoqërore.
Lëvizja Bashkë do të luftojë për zhvillim, demokraci e drejtësi shoqërore.
Lëvizja Bashkë do të thërrasë mes vetes shumicën e shfrytëzuar e nëpërkëmbur të shoqërisë.
Lëvizjen do ta bëjmë të gjithë Bashkë.
Bashkohu!