OGERTA MANASTIRLIU REFUZON TË BALLAFAQOHET ME KËRKESËN PËR MINIMUM JETIK

Interpelancës së deputetes Dhurata Çupi nëse qeveria ka bërë ndonjë studim për Minimumin Jetik dhe nëse ka ndërmend ta kthejë në ligj atë, ministrja Ogerta Manastirliu iu përgjigj me cinizëm të skajshëm e patetik.

Cinizëm sepse ligjëratën e saj e nisi me lajmin për samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, edhe pse në pyetje ishte varfëria e shqiptarëve, më e thella jo vetëm në Evropë, por për turp, edhe në Ballkan.

Patetike sepse Ogerta Manastirliu refuzoi t’i referohej Minimumit Jetik si një e drejtë themelore e njeriut, por nisi të llomotisë me shifra dhe diskurs qesharak si: “Kemi ulur nivelin e rrezikut nga varfëria prej 23.7% në 21.8%”.

Më tej, Ogerta ia mori këngës monotone të kompensimit të inflacionit për pagën minimale dhe pensionet në kuadër të krizës së çmimeve që, hiqi poezinë e përqindjeve, janë ekzaktësisht një kafe dhe një bukë në ditë. Kurse për oligarkët e betonit dha 80 milionë euro kompensim.

Qartazi, kjo qeveri nuk ka ndërmend të ballafaqohet me emergjencën kombëtare që quhet Minimum Jetik.

Kauza e minimumit jetik nuk do të përparojë as nga “opozitarët” hipokritë që janë sjellë njëlloj si Ogerta Manastirliu kur kanë qenë në pushtet.

Ajo do të materializohet vetëm përmes organizimit shoqëror, të cilin ne, aktivistët e Organizatës Politike, jemi zotuar ta çojmë përpara. Ne, bashkë me shumë qytetarë, do të bëjmë ç’është e mundur që Minimumi Jetik të kthehet në kryeçështje në Kuvendin e Shqipërisë.

Koha e cinizmit përqeshës duhet të marrë fund!

#minimumijetik

Skip to content