Dita e sotme shënoi mbylljen e fushatës për mbledhjen e 21.300 firmave të qytetarëve të Tiranës e mbarë vendit, për çuarjen në parlament të projekligjit për miratimin e Minimumit Jetik. Në këtë kauzë të përbashkët u angazhuan mbi 120 aktivistë e anëtarë të Organizatës Politike, si edhe shumë qytetarë që na u bashkuan rrugës për plot 63 ditë.
Mbledhja e firmave në kaq pak kohë, si dhe përfshirja e kaq shumë qytetarëve, dëshmon edhe një herë jo vetëm mbështetjen që gjen në shoqërinë tonë ky propozim, por edhe nevojën akute të përcaktimit të këtij minimumi për shtresat në nevojë, pensionistët, të papunët, punëtorët me pagë minimale etj.
Me dorëzimin e firmave në Komizionin Qendror të Zgjedhjeve ne kemi hedhur vetëm hapin e parë drejt realizimit të kësaj ideje. Ne vetëm sa u kemi përplasur në fytyrë atyre që uzurpojnë ndenjëset e Parlamentit shqiptar, vullnetit e qytetarëve. Nëse ata zgjedhin ta injorojnë atë, ne zotohemi që këtë vullnet ta riafirmojmë përmes organizimit të protestave popullore.
Bashkë, sepse vullneti është kolektiv!
Bashkë, sepse jemi shumë!
Bashkë, ne mundemi!
#minimumijetik
#Bashkë