Sot aktivistët e Organizatës Politike ishin në Elbasan për të informuar dhe mbledhur nënshkrimet e qytetarëve për projektligjin e minimumit jetik.
Pjesën e parë të ditës jemi takuar me studentë të degëve të ndryshme të Universitetit Aleksandër Xhuvani, me të cilët biseduam për kushtet e studimit e të jetesës, shpërfilljen e qeverisë ndaj studentëve në këto kohë krize, si dhe për mungesën e perspektivës profesionale në vend. Mjerisht shumë studentë mendonin të largoheshin nga Shqipëria, edhe duke lënë studimet në mes. Sidoqoftë u ndamë me ta jo vetëm me nënshkrime, por edhe me idenë se të rinjtë mund t’ia kthejnë shpresën Shqipërisë.
Pasdreke u takuam me qytetarë të tjerë të Elbasanit, punëtorë, pensionistë, dyqanxhinj, profesionistë, të papunë etj. Dëgjuam brengat e një qyteti që po vuan pasojat e krizës ekonomike dhe papërgjegjshmërisë qeveritare. Por morëm edhe mbështetje për kauzën tonë dhe të mirën e përbashkët.
Në Shqipërinë e sotme minimumi jetik është emergjencë sociale e kombëtare. Pa punë, pa paga dinjitoze dhe pa të ardhura bazike, Shqipëria do të mpaket e do të plaket.