Dje dhe sot një grup aktivistësh të Organizatës Politike kanë qenë në qytetin e Durrësit për të mbledhur nënshkrime për projektligjin e minimumit jetik. Fillimisht shkuam pranë universitetit Aleksandër Moisiu, ku patëm rastin të njiheshim dhe të bisedonim me qindra studentë. Kushtet e studimit e të jetesës së tyre janë po aq të vështira sa në Tiranë, ndërkohë që perspektiva e punësimit në profesion mbetet e zymtë. Rrugës për në universitet u ndalëm nga një grup gjimnazistësh kureshtarë, të cilët fatkeqësisht nuk shihni asnjë perspektivë për të ardhmen e tyre në Shqipëri. “Dua të iki në Angli të punoj në një shtëpi bari” – tha njëri prej tyre, duke dëshmuar dëshpërimin dhe tjetërsimin e shumë bashkëmoshatarëve të vet.
Për t’u veçuar janë edhe takimet e bisedat me qytetarët durrsakë nëpër rrugët e qytetit. Dy gra punëtore, pasi u informuan për fushatën, nisën të silleshin si aktiviste duke ndalur dhjetëra të tjera dhe bindur që të firmosnin. Madje u treguan aq bujare, sa të na sillnin disa fruta.
Varfëria në qytetin e Durrësit ndihet te shumë qytetarë. Njëra syresh, e moshuar, ankohej për djalin me aftësi të kufizuara për të cilin duhej të kujdesej. Për të shteti nuk jepte më shumë se 10000 lekë në muaj, madje 2000 lekë më pak se pak muaj më parë.
Prapëseprapë, mes qytetarëve të Durrësit gjetëm shumë mbështetje dhe inkurajim për kauzën tonë. Minimumi jetik është domosdoshmëri sociale, po njëkohësisht edhe hap në mëkëmbjen që na duhet si shoqëri. Qindra durrsakë nënshkruan, duke bashkuar me mijëra të tjerë vullnetin për drejtësi shoqërore.