Në saje të përkushtimit të aktivistëve të Organizatës Politike dhe interesimit të lartë të qytetarëve, sot numri i nënshkrimeve kaloi tetëmbëdhjetë-mijëshen.
Ditët e fundit jemi përqendruar në zonat më të dendura të Tiranës, duke diskutuar me qytetarët përballë Bibliotekës Kombëtare dhe Pallatit të Kongreseve, ku po zhvillohet panairi i librit. Çdo ditë flasim me qindra qytetarë, shumë prej të cilëve nuk arrijnë të nënshkruajnë sepse nuk kanë me vete dokumentin e identifikimit, por kthehen më vonë të gatshëm për ta hedhur nënshkrimin e tyre në një iniciativë historike. Te Panairi i Librit kemi vënë re me kënaqësi se dashamirësit e librit janë njëkohësisht edhe të përkushtuar ndaj të mirës së përbashkët. Nënshkrimin e kanë hedhur edhe figura të njohura të jetës kulturore shqiptare, duke e interpretuar siç duhet rolin e intelektualit.
Ditët në vijim do të jenë me shi. Por ne nuk do të ndalemi së takuari dhe biseduari me ju. Pragu ligjor i 20.000 nënshkrimeve është shumë afër. Falë jush!