Nga sot qindra mijëra tifozë ndërkombëtarë pritet të mbushin tribunat e stadiumeve të Katarit dhe miliona të tjerë do ta ndjekin nga ekranet televizive.
Sipas të dhënave të qeverisë, rreth 30.000 punëtorë të huaj janë punësuar vetëm për ndërtimin e stadiumeve – shumica e tyre nga Bangladeshi, India, Nepali dhe Filipinet.
Në dukje, investimet janë marramendëse, por të paguara me “mijëra jetë punëtorësh”. Të migruar nga vende të ndryshme, punëtorët janë përballur me kushte të rënda pune, por edhe banimi në Katar.
Në një raport të publikuar në shkurt të vitit 2021, gazeta britanike The Guardian ka vlerësuar se mbi 6.500 punëtorë migrantë nga India, Pakistani, Nepali, Bangladeshi dhe Sri Lanka kanë vdekur në Katar, prej se vendi i Gjirit Persik ka fituar të drejtën e organizimit të Kupës së Botës në vitin 2010.
Nën presionin e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Katari, në vitin 2017, është zotuar se do t’i përmirësonte kushtet e punës – nisur nga kufizimi i orëve të punës deri te rritja e standardeve në kampet ku jetojnë punëtorët emigrantë.
Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), me seli në Londër, deklaron se punëtorëve në Katar u janë krijuar disa të drejta, por se situata mbetet larg të qenët aty ku duhet.
“Fatkeqësisht, vazhdojmë të shohim mijëra e mijëra punëtorë, që përballen me abuzim dhe shfrytëzim shumë të rëndë në punë.” – thotë Ella Knight-i, hulumtuese e të drejtave të punëtorëve pranë AI-së.
“Një nga problemet e mëdha është vjedhja e pagave. Ndonjëherë punëtorët nuk paguhen për muaj të tërë. Kemi dokumentuar po ashtu punëtorë migrantë, sidomos në sektorin e rojeve të sigurisë, që detyrohen të punojnë deri në 12 orë në ditë, çdo ditë të javës, dhe pa asnjë ditë pushimi për muaj të tërë, sepse punëdhënësit i kërcënojnë me gjoba.”
“Problem i madh është se në shumë raste Katari nuk i heton vdekjet e punëtorëve migrantë. Kjo do të thotë se familjarët e punëtorëve që vdesin në Katar lihen pa përgjigje dhe pa mundësinë e kërkimit të dëmshpërblimit”.
Deri në vitin 2020 në Katar ishte zyrtarisht në fuqi sistemi kafala, i cili i vendoste punëtorët emigrantë nën mëshirën e “sponsorit” të tyre vendas, i cili mund t’u refuzonte jo vetëm mundësinë për të ndërruar punë, por edhe lejedaljen nga vendi. Efektet e këtij sistemi bujkrobërie ndihen ende në marrëdhëniet e punës me miliona emigrantët e Katarit.
Të drejtat në punë duhet të jenë themeli i çdo rendi shoqëror të drejtë.
#qatar2022#fifa#6500workers#migrants#died#worldcup#host#theguardian
– Shkruan aktivisti i Organizatës Politike, Kristjan Zoto.