Plot 40 ditë pasi nisëm fushatën për mbledhjen e firmave për projektligjin e Minimumit Jetik, pas vullnetit të shprehur të mbi 16.500 qytetarëve të Tiranës e mbarë vendit, Erion Veliaj u kujtua të na japë leje.
Në bazë të ligjit Nr.54/2019 “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”, neni 8, pika 4: “Kryetari i njësisë […] vendore merr vendim JO MË VONË SE 20 DITË nga dita e paraqitjes së kërkesës…”. Sipas email-it që shihni në foto, vendimi i Erionit ka ardhur 50 ditë më vonë, pra plot një muaj përtej afatit që përcakton ligji (madje neve na informuan vetëm sot, 5 ditë pasi ishte marrë vendimi).
Kur bëhet fjalë për të firmosur leje ndërtimi në tokë publike për oligarkët e pangopur të kullave, firma e Erionit nuk ndalet për asnjë moment.
Kur bëhet fjalë për shpronësimin dhe shembjen e banesave të njerëzve që kanë punuar me gjak për vite të tëra në emigracion, firma e Erionit është e zeza mbi të bardhë.
Ama për një nismë ligjvënëse të ndërmarrë nga qytetarët për një kauzë kaq të rëndësishme sa përcaktimi e miratimi i Minimumit Jetik, Erioni është i zënë me punë të tjera.