Sot, në ditën më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, ne, aktivistët e Organizatës Politike, kemi nderin t’ju njoftojmë se kemi tejkaluar pragun e 20.000 nënshkrimeve për projektligjin e minimumit jetik.
Kjo arritje do të ishte e pamundur pa angazhimin e qindra aktivistëve e mbështetësve të Organizatës Politike, nga Durrësi në Elbasan, nga Shkodra në Vlorë, nga Fieri në Lezhë, po sidomos në Tiranë. Në diell e në shi, për gati dy muaj kemi biseduar me dhjetëra mijëra bashkëqytetarë, me origjinë anekënd Shqipërisë dhe të shumë profesioneve e grupmoshave. Falë solidaritetit të tyre të shprehur me nënshkrim, inkurajim dhe përhapje të lajmit, fushata e minimumit jetik ka arritur thuajse kudo në shoqërinë tonë.
Sot, në këtë ditë disafish të shënuar, ne krenohemi me pararendësit tanë të mëdhenj, që kanë punuar e luftuar për një mëmëdhe të lirë, të pavarur e të begatë. Ne, me përpjekjet tona modeste, synojmë t’i çojmë përpara idealet për një Shqipëri me drejtësi shoqërore.
Përpjekja për minimumin jetik do të vazhdojë në ditët dhe muajt e ardhshëm. Për të drejtpeshuar gabime të mundshme në marrjen e të dhënave, kemi vendosur të mbledhim 1000 nënshkrime shtesë gjatë ditëve në vijim. Po, mbi të gjitha, jemi të vendosur ta çojmë zërin e 20.000 qytetarëve brenda institucioneve me forcën e këmbënguljes e përkushtimit.
Ju faleminderit!
Gëzuar 28 Nëntorin!