MINIMUMI JETIK NË SPANJË

Spanja nuk është shteti më i pasur i Bashkimit Evropian. Po që prej dhjetorit të vitit 2019 është shndërruar në një prej vendeve pararojë të mbrojtjes sociale të shtresave në nevojë. Qeveria e koalicionit – të përbërë nga Partia Punëtore Socialiste e Spanjës e qendrës së majtë dhe lëvizja e majtë populiste Podemos – ka vendosur me ligj minimumin jetik, të quajtur Të Ardhurat Minimale Jetike (Ingreso Mínimo Vital).

Ligji i minimumit jetik në Spanjë ka pasur për synim të mbështesë ekonomikisht rreth 2.3 milionë qytetarë spanjollë dhe të huaj me leje qëndrimi, të cilët jetojnë në varfëri. Shuma që shteti spanjoll garanton për të varfrit është 470 euro në muaj për person (familje me një anëtar). Maksimumi i minimumit jetik për familje është 1.034 euro në muaj. Nëse e konvertojmë minimumin jetik në Spanjë me paritetin e fuqisë blerëse, një njeri në Shqipëri do të duhej të kishte të ardhura mujore prej të paktën 32.341 lekësh (të reja) për të jetuar sa më i varfri në Spanjë. Ndërkohë këtë shumë (neto) në Shqipëri nuk e marrin as punëtorët me pagë minimale, të cilët përbëjnë shumicën e punëtorëve.

Si pasojë e miratimit të minimumit jetik, në Spanjë shpenzimet qeveritare për luftën ndaj varfërisë janë rritur nga të qenit në nivelet më të ulëta në BE (0.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto) në mesataren e vendeve të OECD (0.4% e PPB).

Vitet e fundit qeveria spanjolle është shquar edhe për rritjen substanciale të pagës minimale. Në vitet 2019-2020 paga minimale u rrit me 29.1%, ndërsa sot ajo arrin në 1.167 euro në muaj. Një masë e tillë jo vetëm që nuk e ka rritur papunësinë, siç druheshin kritikët, por është shoqëruar me rritjen e punësimit.

Lind natyrshëm pyetja: Po në Shqipëri pse qeveria “socialiste” nuk flet për minimumin jetik? Pse pagat dhe pensionet janë nga më të ulëtat në Evropë? Përgjigjja është e thjeshtë dhe dramatike: Qeveria e Edi Ramës është organ në duart e oligarkëve, u shërben interesave të tyre, vjedh popullin, shpërdoron buxhetin e shtetit dhe përçmon të varfrit. Ndryshe nga e majta spanjolle, e rrënjosur në sindikalizëm dhe lëvizjet shoqërore, pseudosocialistët e Ramës shtypin lëvizjen punëtore, përkrahin abuzimet në vendin e punës, shkurajojnë organizimin sindikalist dhe kanë një botëkuptim reaksionar që i sheh të varfrit si parazitë.

Që në Shqipëri të miratohet minimumi jetik nuk mjaftojnë vetëm 20.000 nënshkrimet që po mbledhin aktivistët e Organizatës Politike. Nevojitet organizimi i një lëvizjeje të madhe shoqërore – që shtrihet nga vendbanimi te vendi i punës e studimit. Nevojiten greva, protesta dhe angazhim qytetar deri në rrëzimin e qeverisë dhe shpërbërjen e sistemit partiak kleptokratik.

#minimumijetik

Skip to content