MINIMUMI JETIK NË ITALI

Prej vitit 2019 Italia ka një ligj të ngjashëm me projektligjin e minimumit jetik që aktivistët e Organizatës Politike do të çojnë në Kuvend me nënshkrimet e 20.000 qytetarëve. E materializuar si zotim programor i Lëvizjes 5 Yjet (Movimento 5 Stelle), e cila fitoi zgjedhjet e 2018, Të Ardhurat e Qytetarisë (Reddito di Cittadinanza), kanë ndihmuar 2.2 milionë familje italiane të përballen me varfërinë.

Të Ardhurat e Qytetarisë i sigurojnë çdo njeriu 780 Euro në muaj për të përballuar jetesën, ku përfshihet edhe subvencionimi i qirasë së banesës. Për familjet me katër anëtarë, të ardhurat mujore arrijnë në 1338 euro. Nga këto të ardhura përfitojnë jo vetëm të papunët, njerëzit në nevojë dhe pensionistët me pensione të ulëta (të cilët gëzojnë Pensionin e Qytetarisë), por edhe punëtorët me kohë të pjesshme dhe me paga të ulëta.

Njerëzit e aftë për punë mund të përfitojnë nga Të Ardhurat e Qytetarisë nëse nënshkruajnë një pakt punësimi, qëllimi i të cilit është t’i aftësojë dhe t’i inkurajojë për të marrë pjesë në tregun e punës, duke ofruar kushte dinjitoze punësimi.

Interesant është fakti që nga Të Ardhurat e Qytetarisë nuk përfitojnë vetëm qytetarët italianë dhe të vendeve të tjera të BE, por të gjithë të huajt që kanë leje qëndrimi në Itali. Kësisoj edhe qytetarët shqiptarë me leje qëndrimi në Itali marrin nga shteti italian një mbështetje ekonomike që në vendin e tyre as që mund ta ëndërrojnë.

Po në Shqipëri, si ka mundësi që shteti nuk u garanton qytetarëve të varfër jo më 780 euro, po as 20.000 lekë minimum jetik?! Nëse i konvertojmë 780 Eurot e Italisë me Paritetin e Fuqisë Blerëse, rezulton se për të arritur nivelin e jetesës së italianit më të varfër, në Shqipëri minimumi jetik do të duhej të ishte 51.200 lekë për person, shumë afër nivelit të pagës mesatare.

Sigurisht që edhe vullneti më i kulluar politik nuk mund të materializojë brenda ditës nivelin e jetesës së një vendi të zhvilluar si Italia. Mirëpo minimumi jetik prej 20.000 lekësh (të reja) në muaj është domosdoshmëri sociale dhe i mundshëm ekonomikisht. Afërmendsh, sikur ata që na qeverisin të mos vjedhin nga mëngjesi në darkë dhe të kishim një shpërdorje më të drejtë të pasurisë.

#minimumijetik

Skip to content