LUIZ INÁCIO LULA DA SILVA ËSHTË ZGJEDHUR PRESIDENT I BRAZILIT

Luiz Inácio #Lula da Silva është zgjedhur president i Brazilit ditën e djeshme në një rikthim mahnitës pas një balotazhi të ngushtë.

Kush është Lula?

I ardhur nga një familje fshatare dhe e pashkolluar në prag të urisë prej varfërisë ekstreme, Lula ka qenë analfabet deri në moshën 10-vjeçare duke punuar si lustrues këpucësh në rrugët e Sao Paolos. Pasi mbylli shkollën fillore u detyrura ta ndërpresë shkollimin pasi e ëma do ta fuste në punë si makinist në industrinë e automobilëve, ku dita-ditës jo vetëm që u bë një punëtor i kualifikuar, por edhe një sindikalist i jashtëzakonshëm e organizator grevash. Pasi u zgjodh në krye të Sindikatës së Punëtorëve të Metalit të São Bernardo do Campo, Lula udhëhoqi greva historike kundër diktaturës ushtarake duke çimentuar imazhin e tij si një simbol i demokracisë dhe përfaqësues i punëtorëve. Ajo që pak njihet nga publiku është se teksa përndiqej nga regjimi ushtarak në Brazil, Lula ka jetuar për pak kohë edhe në Shqipëri së bashku me João Amazonas-in dhe një sërë miltantësh të përndjekur nga diktaturat në Portugali dhe Brazil.

Më 1980 bashkëthemeloi me punëtorë, intelektualë, teologë, aktivitsë dhe artistë Partinë e Punëtorëve duke kandiduar e fituar për disa dekada në pozicione të ndryshme publike, që kulmuan me zgjedhjen e tij si president në vitet 2003 dhe 2010. Gjatë kohës së tij Brazili gëzoi një bum ekonomik të shkaktuar nga një rritje e kërkesës globale për mallra dhe qeverisja e tij mbahet mend për programet masive të mirëqenies sociale që nxorën miliona njerëz nga varfëria.

Fitorja e tij në zgjedhjet e fundit paralajmëron një ndryshim të ri për vendin më të madh të Amerikës Latine, pas katër vjetëve të administratës së ekstremit të djathtë të Jair Bolsonaro-s, jo vetëm për rikthimin e së majtës në pushtet në Brazil, por edhe një rikthim personal triumfues për Lulën, pas një sërë akuzash të sajuara për korrupsion që çuan në burgimin e tij për 580 ditë. Dënimet u anuluan më vonë nga Gjykata e Lartë, duke hapur rrugën e tij për të rikandiduar në zgjedhje.

Lula do të marrë frenat e një vendi të rrënuar nga pabarazia që ende po përpiqet të rimëkëmbet nga pandemia Covid-19. Rreth 9.6 milionë njerëz ranë nën kufirin e varfërisë midis viteve 2019 dhe 2021, shkalla e arsimimit dhe e ndjekjes së shkollës kanë rënë dhe vendi përballet me çështjen mjedisore me rëndësi për planetin që është shpyllëzimi i shfrenuar i Amazon-ës. Ndërkohë kombi është i ndarë thellësisht më dysh, ku opozita e së djathtës ekstreme gëzon ende pushtet ekonomik dhe politik.

“Ata u përpoqën të më varrosnin të gjallë dhe unë jam këtu,” tha ai në një fjalim ngazëllyes para mbështetësve dhe gazetarëve të dielën në mbrëmje, duke e përshkruar fitoren si “ringjalljen” e tij politike.“ Duke filluar nga 1 janari 2023, unë do të qeveris për 215 milionë brazilianët, jo vetëm për ata që më votuan mua. Nuk ka dy Brazile. Ne jemi një vend, një popull, një komb i madh”

Si pjesë e Internacionales Progresiste, Organizata Politike përshëndet me entuziazëm këtë fitore të së majtës dhe demokracisë.

Skip to content