Përveçse personi i parë me ngjyrë në Britani që merr këtë post drejtues, Sunak është edhe një ndër njerëzit më të pasur të vendit.
Sunak lindi në Southampton më 1980 nga prindër indianë, i ati mjek dhe e ëma farmaciste. I madhi i tre fëmijëve, Sunak ndoqi një shkollë private ku paguante 43.335 sterlina në vit. Më pas u diplomua në Universitetin e Oksfordit për politikë, filozofi dhe ekonomi.
Gruaja e tij, Akshata Murty është vajza e miliarderit indian Narayana Murthy, i cili njihet si Bill Gates-i i Indisë që themeloi kompaninë e software-ve Infosys. Vajza e tij zotëron 0.91% të aksioneve të kompanisë, me vlerë rreth 700 milionë sterlina.
Në prill të këtij viti doli në dritë se Murty mbante një status të veçantë (non-domiciled UK resident) që i mundësonte mënjanimin e taksave në Britani nga të ardhurat që fitonte jashtë vendit. Përmes këtij statusi ajo paguante rreth 30 mijë sterlina në vit, ndërkohë që do duhej të paguante rreth 20 milionë sterlina. Pas bërjes publike të këtij fakti ajo deklaroi se do të fillonte të paguante rregullisht taksa në BM që të hiqte presionin politik nga i shoqi.
Çifti Sunak-Murty ka një pasuri prej 730 milionë sterlinash, më shumë sesa dyfishi i pasurisë së çiftit mbretëror Charles III – Camilla. Në një fjalim në qytezën Tunbridge Wells, Sunak deklaroi se ia kishte dalë të ndryshonte politikat e Partisë Laburiste “që i hidhte të gjitha fondet nëpër zonat urbane të varfra” në mënyrë që fondet të shkonin në qytetet e pasura.
Në një dokumentar nga koha kur ishte student, Sunak shprehet se ai kishte shokë që ishin aristokratë, shokë që vinin nga klasat e larta dhe shokë që vinin nga klasa punëtore, përpara se të kujtohet: “Në fakt, jo nga klasa punëtore.”
Sipas gazetës The Guardian, Sunak ka për synim që të ndërpresë ndihmën ekonomike për faturat e energjisë në prillin e ardhshëm, çka do të shkaktonte rritjen e inflacionit dhe thellimin e recensionit. Kostot e huamarrjes do të godasin familjet duke arritur në 6%, që do të bënte që rreth 40% e familjeve në Britaninë e Madhe të hasnin vështirësi në pagesat e huave të shtëpive.