Vlera me të cilën qeveria do të subvencionojë mbjelljen e grurit që do të ushqejë popullin për vitin e ardhshëm, është pak më e madhe se instalacioni me pemishte brenda godinës së kryeministrisë që do të ushqejë egon e sëmurë të Edi Ramës.
Në mes të krizës që ka kapluar mbarë Evropën, qeveria e Ramës u shpreh se synon të rrisë kultivimin e grurit në vend nga 54.000 në 70.000 hektarë duke subvencionuar bujqit me nga 30.000 lekë për çdo hektar grurë të mbjellë, me një buxhet total prej vetëm 4,3 milionë eurosh.
Në këtë propozim, megjithatë, fshihet e gjithë papërgjegjshmëria e kësaj qeverie.
Në shtimin e prodhimit që supozohet për vitin e ardhshëm, nuk merren parasysh kostot e shtuara për bujqit që nga fillimi i krizës. Rritja marramendëse e çmimit të naftës dhe plehrave kimikë i ka shtuar në mënyrë shproporcionale këto kosto, çka manifestohet edhe në rritjen e çmimeve të produkteve bazike për qytetarët, që nga buka e deri te produktet bujqësore.
Është pikërisht kjo rritje e kostos që rrezikon seriozisht rënien e prodhimit të grurit në vend, duke mos iu afruar as prodhimit të vitit të shkuar (54.000 hektarë) e duke qenë shumë larg parashikimit që synon qeveria (70.000 hektarë).
Sikur Edi Rama të subvenciononte me nga 30.000 lekë ata fermerë që prodhuan 54.000 hektarë grurë vitin e shkuar, do nevojiteshin 13,5 milionë euro, e jo 4,3 milionë eurot me të cilat qeveria kërkon të shtojë (!) prodhimin e grurit.
Sejmenët (ose yesmen-ët) e qeverisë do të thonë se në kohë krize ajo nuk ka ku të gjejë më shumë para për subvencione. Por për habi, teka perverse e Edi Ramës – instalacioni me pemishte brenda godinës së kryeministrisë – do na kushtojë të gjithëve plot 3,7 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Instalacioni artistik i pikturistit rëndon sa 86% e subvencionit vjetor për mbjelljen e grurit në gjithë vendin, sa 5.781 megavat/orë energji elektrike, sa 13.553 paga minimale, sa 24.025 minimume jetikë nëse do e kishin miratuar, sa 92.500 ndihma ekonomike, sa 148.000 “mbështetje financiare” për pensionistët gjatë krizës.
Ka 30 vjet që qeverisja e pushtetarëve-oligarkë po na pamundëson bukën e gojës. Ka ardhur koha që 30 vjet abuzime t’u kushtojë atyre pushtetin, e madje edhe lirinë.