BASHKË PËR MINIMUMIN JETIK

Ne, aktivistët e Organizatës Politike, po dorëzojmë sot në KQZ kërkesën dhe dokumentet e nevojshme për një iniciativë ligjore qytetare për njohjen nga shteti të minimumit jetik.

Përpara krizës, 10% e qytetarëve shqiptarë ishin poshtë kufirit të varfërisë absolute. 33% konsideroheshin relativisht të varfër. Kriza ekonomike dhe rritja e çmimeve po e bëjnë jetesën të papërballueshme për shumicën dërrmuese të qytetarëve.

Ndërkohë, qeveria Rama sheh me prioritet vetëm mbështetjen financiare të oligarkëve. Për popullin nuk ka asgjë tjetër përveç thërrimeve të përkohshme.

Sot në Shqipëri shumë pensionistë marrin vetëm 8.000 lekë pension minimal, kurse maksimumi i ndihmës ekonomike që mund të përfitojë një familje e varfër është 10.000 lekë.

Në vitin 2021 një studim i mbështetur nga Avokati i Popullit e ka nxjerrë shifrën e minimumit jetik për një person rreth 18.000 lekë në muaj. Sidoqoftë qeveria nuk ka shprehur as minimumin e vullnetit për të njohur me ligj minimumin jetik.

Prandaj sot ne nisim procedurat e një iniciative ligjore nga poshtë, nga vetë qytetarët. Synojmë që të mbledhim 20.000 firma qytetarësh anekënd vendit, duke e shtrënguar Kuvendin e Shqipërisë ta marrë në shqyrtim vullnetin e qytetarëve.

Njohja me ligj e minimumit jetik do të rriste në kufijtë e dinjitetit pensionet, ndihmën ekonomike dhe pagat për qindra mijëra qytetarë.

Po vetëm bashkimi ynë në terren – me mbledhje firmash, aksione e protesta – do të mund të ushtrojë presionin e duhur ndaj Kuvendit për ta marrë seriozisht një të drejtë kaq të rëndësishme e po aq të nëpërkëmbur të qytetarëve shqiptarë.

Skip to content