Prej vitesh tashmë denoncojmë shfytëzimin dhe keqtrajtimin e punëtorëve nga pronarët, shpeshherë deri në vdekje.
Prej vitesh bëjmë thirrje për organizimin sindikal të punëtorëve, si hapin e domosdoshëm për ta bërë jetën të jetueshme në vendin tonë.
Tanimë, po na japin të drejtë edhe vetë pronarët.
Mungesa e sindikatave – por sidomos mungesa e traditës në organizimin punëtor – ka bërë që pronarët t’i trajtojnë punëtorët si skllevër:
– duke mos marrë masa për sigurinë teknike në punët e rrezikshme;
– duke mos paguar hakun e punës;
– duke mos ofruar kontrata ligjore;
– duke mos paguar sigurimet shoqërore;
– duke mos respektuar ditët e pushimit;
– duke mos paguar orët shtesë;
– duke i mbingarkuar e nënpaguar;
– duke i pushuar nëse ngrenë zërin;
Punëtorët bien nga lartësitë e qiejve dhe varrosen në thellësitë e tokës. Punëtorët helmohen nga kimikatet, e shurdhohen nga kufjet.
Kërcënohen, poshtërohen, flaken.
E nëse s’ka organizim, ka braktisje.
Ata po e braktisin këtë vend masivisht; punëtorët e mendjes e të krahut, punëtorë të rinj e të vjetër, të kualifikuar e të thjeshtë.
Zgjidhjen që u ofroi Edi Rama pronarëve, për të marrë punëtorë nga Afrika e Azia, nga ata që “nuk flasin për demokraci e nuk ankohen”, e mori lumi. Ndoshta bangladeshasit nuk dinë shqip, por e dinë të dallojnë se kur trajtohen si skllevër.
Shoqërinë shqiptare po e braktisin ata që prodhojnë, e çuditërisht gjenialiteti i miliarderëve vendas nuk i hyn në punë as dreqit.
Nga kriza që po shtrihet në të gjithë sektorët e prodhimit e të shërbimeve, dilet vetëm përmes organizimit sindikal.
Një shtet serioz që vë në punë Inspektoriatin e Punës do duhet të mbykëqyrë të drejtat e punëtorëve e të nxisë krijimin e sindikatave të reja e të pavarura.
Ato kompani që falimentojnë nëse nuk i trajtojnë punëtorët e tyre si skllevër, nuk duhet të ekzistojnë.
Ato kompani që i respektojnë të drejtat në punë dhe organizimin sindikal, duhet të nxiten me kontrata e të promovohen nga shteti.
Mirëqenia e një shoqërie është mirëqenia e atyre që punojnë.
Foto: Monitor.al