PROPAGANDA TALLËSE E QEVERISË PO VRET BUJQËSINË DHE PO VË NË RREZIK BUKËN

I ulur shesh në një pemëtore të Peshkopisë, Edi Rama dje po përtypte qershi, duke nxjerrë, në vend të bërthamave, mufka propagandistike për arritjet në bujqësi. E gjithë kjo vetëm pak ditë pasi fermerët dibranë ishin duke u ankuar për mungesën e tregut, çmimin tallës për qershitë (20-30 lekë për kilogram) dhe mungesën e ndihmës nga qeveria. Këtu Rama “vështirë” të fajësohet, se ai zor se arrin të perceptojë vlera ekonomike që nuk kalojnë mijëra eurot.

Po dje Taulant Balla, si një myzeqar i vërtetë, u shfaq shumë entuziast në “Festën e grurit”. Foli për një vit shumë të begatë dhe çmime të kënaqshme për bujqit, mbi 50 lekë për kilogram për drithin. Por ja që kronikat e qeverisë nuk i afrohen fare realitetit.

Fermerët në Lushnje e Fier ankohen për çmimin qesharak që iu ofrojnë tregtarët e mëdhenj për grurin, 35 lekë për kilogram. Me këtë çmim jo vetëm që nuk arrijnë të fitojnë nga puna dhe mundi i tyre, por nuk arrijnë të nxjerrin as shpenzimet. Prandaj shprehen se më mirë e përdorin si tagji për bagëtitë sesa t’ua falin spekulantëve.

Situatën e bën më irrituese dhe dramatike fakti që oligopolistët e mëdhenj e blejnë grurin shumë më shtrenjtë jashtë, në Serbi e gjetkë, ndërsa me prodhuesit vendas tallen. Edhe pse në mes të një krize të rëndë, që na i tund si kërbaç sa herë që merr vendime në kurrizin tonë, qeveria është tërësisht indiferente edhe kur bie fjala për bukën e gojës.

Fjalimet patetike në Kuvend të pushtetarëve e ish-pushtetarëve, të ministrave e ish-zv/kryeministrave nuk i japin zgjidhje situatës. Këtë e dinë fare mirë edhe fermerët që shprehen në këtë kronikë të përgatitur nga MCN TV.

Bujqësia është hambari kryesor për buxhetin e shtetit, por në këmbim merr veç krunde. Qeveria duhet të ndërhyjë në mënyrë urgjente në ndihmë të fermerëve, për t’u siguruar treg prodhimeve të sezonit.

Nevojitet orientim dhe ndihmë e pakufizuar veçanërisht për kultivimin e drithërave të bukës në sezonin e vjeshtës. Siguria ushqimore është çështje e sigurisë kombëtare! Buka e gojës nuk mund të vihet në rrezik për miliardat e oligopolistëve të miellit dhe pushtetarëve të lidhur me ta!

Skip to content