Ditën e sotme një minator është plagosur në minierën e Albchrome në zonën e Bulqizës. Mediat raportojnë se minatori është dërguar drejt Spitalit të Traumës me plagë të rënda, por emri nuk bëhet i ditur as nga kompania dhe as nga policia.
Edhe pse çmimi i kromit ka rritje me 2-3 fish në treg, punëtorët e Albchrome-it vazhdojnë të paguhen pak për punën që bëjnë dhe vështirësitë që kalojnë.
Vetëm gjatë këtij muaji kemi 6 punëtorë të vdekur dhe 2 të plagosur, nga 25 deri në 50 vjeç, sipas raportimeve të mediave. Aksidentet kanë qenë në ndërtim, miniera dhe Portin e Durrësit.
Ngjarja më e rëndë ishte vdekja e 34-vjeçarit Maksim Debrova, i cili ishte invalid shurdh-memec. Sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës, punëtori invalid punonte në të zezë dhe nuk ishte regjistruar në asnjë subjekt deri ditën që humbi jetën për kompaninë “Erald Construction”, e cila është nënkontraktuar nga qeveria për rindërtimin në Kurbin.
Sipas familjarëve, kompania kërkon ta fshehë aksidentin pasi e mohon që Debrova të ketë qenë në punë. Ata kërkojnë drejtësi nga shteti dhe dëmshpërblim nga kompania, sepse ai ka lënë pas tre fëmijë të vegjël.
Nuk është hera e parë që në kompani të cilat kanë marrë punë publike nga qeveria, mungojnë edhe kushtet më minimale të sigurisë në punë dhe inspektimet nga ana e institucioneve. Më herët kanë humbur jetën edhe punëtori Naim Idrizi në kantierin e stadiumit “Air Albania”, punëtori Alfred Frroku në kantierin e Rrugës së Kombit, Meriman Gashi në kantierin e aeroportit të Kukësit dhe punëtori të cilit i dihen vetëm inicialet (A.A) që punonte për firmën “Gjoka Konstruksion” në Rrugën e Arbërit.
Përditë edhe më shumë punëtorët po braktisen nga shteti dhe institucionet. Maksimi, Naimi, Merimani, Alfredi dhe gjithë të tjerët nuk kanë vdekur nga aksidentet, por nga grykësia e oligarkëve dhe indiferenca e shtetit.