Shteti që nuk toleron asnjë tregtar të vogël të shesë perimet në rrugët e qytetit, i mbyll përditë sytë përballë agresionit të eksponentëve të dyshimtë.
Shteti që nuk toleron asnjë karrocë kanaçembledhësi në rrugët e qytetit, u ngre kapelën pasunarëve të rinj.
Shteti që tërheq zvarrë çdo qytetar se proteston në rrugë, e ka lënë sigurinë rrugore në mes të katër rrugëve.
Shteti që i ka mbushur burgjet me të rinj dhe hallexhinj, nuk guxon të ndalojë as për kontroll njerëzit mbas xhipave me xhama të zinj.
Oligarkët, gangsterët dhe njerëzit e lidhur me pushtetin zotërojnë liri totale në këtë vend, qoftë edhe duke rrezikuar jetë fëmijësh e familjarësh. Ndërsa qytetarët ndëshkohen çdo ditë pa mëshirën më të vogël.
Tashmë në republikën e oligarkëve dhe kriminelëve as rrugët e mëhallës nuk janë më të sigurta.