Efektet e krizës ekonomike në Shqipëri po ndihen veçanërisht fort mes të vetëpunësuarve dhe sipërmarrjeve familjare. Shumë prej të vetëpunësuarve janë punëtorë me ditë pune – hidraulikë, bojaxhinj, elektricistë, sanitarë etj. – të cilët jo vetëm që kanë të ardhura të ulëta, por edhe kanë punë të pasigurt dhe që kushtëzohet nga fuqia blerëse e pjesës tjetër të shoqërisë. Të tjerë – si berberët, këpucarët etj. – punojnë thuajse gjithë ditën për të fituar fare pak gjë. Shumica prej tyre janë të pasiguruar në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, çka i përjashton sot nga kujdesi shëndetësor publik dhe nesër nga pensioni.
Të tjerë të vetëpunësuar janë sipërmarrjet familjare. Në Shqipëri numri i të vetëpunësuarve në këto sipërmarrje është mjaft i lartë, rreth 55% i të gjithë të punësuarve në vend. Shumë prej tyre ndihen në zgrip të falimentimit prej qendrave tregtare dhe zinxhirëve të supermarketeve, kapitali fillestar i të cilave është vendosur në mënyrë të paligjshme. Edhe mes këtyre të vetëpunësuarve ndihet pesha e përqindjes së lartë të sigurimeve shoqërore (23%) e shëndetësore (3.4%) që duhet të paguajnë. Çka rëndom sjell për pasojë evazionin e sotëm dhe mungesën e pensioneve në të ardhmen.
Kategoria e tretë janë të vetëpunësuarit e kualifikuar, të cilët përpiqen t’i shpëtojnë shfrytëzimit në punë duke e ushtruar në mënyrë të pavarur profesionin e tyre. Sipas planeve qeveritare, pritet që në të ardhmen e afërt kjo kategori të vetëpunësuarish t’i nënshtrohet një regjimi diskriminues tatimor, çka mund të vërë në dyshim mbijetesën e tyre ekonomike.
Të vetëpunësuarit dhe sipërmarrjet e vogla familjare nuk janë fort të ndryshëm nga punëtorët. Ata janë punëtorë, shpesh herë me të ardhura të ulëta, të cilët punojnë me orar e pa orar, por që ndihen të kërcënuar nga oligarkët, bizneset e mëdha dhe praktikat korruptive të administratës shtetërore.
Prandaj 1 Maji është edhe i tyri. 1 Maji është i të gjithë njerëzve të punës, 99-përqindëshit të shoqërisë të cilit i hahet haku dhe nuk sheh perspektivë.
1 Maji na bashkon!
KOHA NUK PRET MË!
#1MajiNaBashkon