PUNËTORET E FASONERIVE TË PARAT PËR 1 MAJ

Fasoneritë përbëjnë sot sektorin me peshën më të madhe në eksportet e vendit tonë. Shqipëria është eksportuesja e shtatë më e madhe në botë e pjesëve të këpucës dhe mes njëzet vendeve të para në eksportin e këpucëve të lëkurës. Fasoneritë janë gjithashtu punëdhënëset private më të mëdha në vend, me dhjetëra mijëra gra e burra në të gjithë territorin.

Po pavarësisht peshës së madhe në ekonominë e vendit, fasoneritë janë vende të punës së keqpaguar, kushteve të vështira në punë apo mungesës së të drejtave e lirive themelore. Punëtoret/ët e fasonerive në shumë raste paguhen nën pagën minimale dhe nuk kanë as kontratë pune. Orët shtesë në punë, raportet mjekësore, pushimet vjetore apo puna në ditët e festave në mjaft raste nuk paguhen. Liria e organizimit sindikal nuk respektohet nga pronarët dhe çdo tentative organizimi nga ana e punëtoreve pasohet me heqje kolektive nga puna.

Fasoneritë janë edhe vatra të nxehta të betejave të rëndësishme për përmirësimin e kushteve të punës. Nga Bilishti në Kukës, janë me qindra gratë që luftojnë përditë me pronarët e tyre për paga më të larta e kushte më dinjitoze pune. Përpos pronarit, atyre u duhet të luftojnë edhe kundër heshtjes dhe indiferencës së institucioneve shtetërore.

1 Maji është pikësëpari për të gjitha gratë e burrat që nuk heshtin përballë padrejtësive në punë, por ngrenë fuqishëm zërin kundër babëzisë dhe mizorisë së pronarit dhe indiferencës së shtetit. 1 Maji është dita kur punëtoret/ët e fasonerive do të bëhen bashkë me shumë të tjerë nga të gjitha profesionet e vendet e punës për t’u thënë boll shfrytëzimit në punë dhe shkeljes së dinjitetit njerëzor.

Bashkohemi më 1 Maj!

Ora 11:00, nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë.

#1MajiNaBashkon

Skip to content