“Nuk na del, ikin për ilaçe… i kemi sytë nga fëmijët” – këto janë fjalët e trishta të shumicës së pensionistëve. Në Shqipëri ka rreth 670 mijë pensionistë, pjesa dërrmuese e të cilëve, si në qytet edhe në fshat, marrin pension të pamjaftueshëm për jetë me mirëqenie dhe dinjitet.
Sot skema e pensioneve është në krizë financimi për shkak të kontributeve të pamjaftueshme që grumbullohen nga skema e sigurimeve shoqërore, plakja e popullsisë dhe emigracioni shumë i lartë. Rritja e pensioneve është tepër e ulët në krahasim me rritjen e përvitshme dhe galopante të çmimeve të shportës. Kësisoj jeta e atyre që kanë derdhur djersë e mund për 30-40 vjet po bëhet gjithnjë e më vështirë.
Zgjidhja për të siguruar pensione të dinjitetshme varet nga:
• Miratimi i minimumit jetik – çka do të thotë rritje të pensioneve të shumëkujt që sot merr një pension poshtë nivelit të 18.000 lekëve në muaj.
• Indeksim i përvitshëm i pensioneve sipas rritjes reale të çmimeve të shportës.
• Rritja e pagës minimale, zhdukja e informalitetit të pagave dhe punës në të zezë – të cilat do të sjellin më shumë kontribute për skemën e sigurimeve shoqërore dhe do të mundësonin rritjen e pensioneve përmbi nivelin e indeksimit.
• Ulja e papunësisë dhe rritja e nivelit të përgjithshëm të pagave.
Për realizimin e këtyre masave, kërkohen ndryshime të thella në modelin e qeverisjes dhe zhvillimin social-ekonomik të vendit. Kësisoj pensionistët, një shtresë kaq e gjerë e shoqërisë, duhet të japin kontributin e tyre:
1. Duke refuzuar keqbërësit në pushtet dhe në opozitë, që bashkërisht kanë vjedhur e shkatërruar pa pushim këto tridhjetë vjet.
2. Duke mbështetur pa rezerva kërkesat e të gjithë punëtorëve.
Prandaj u bëjmë thirrje pensionistëve të bashkohen me punëtorët dhe qytetarët në protestën e 1 Majit.
Në 1 Maj, në orën 11:00, nga sheshi Skënderbej te kryeministria!
#1MAjiNaBashkon