LUKS PËR DREJTORËT, 1 BUKË PËR PUNËTORËT

Në kulmin e krizës, qeveria e Edi Ramës ka akorduar 2.3 milionë euro për arredimin e zyrave të pesë institucioneve. Mobilje me dru arre, lekurë ekologjike dhe dizajn modern për Drejtorinë e Burgjeve, Policinë e Shtetit dhe Komandën Ushtarake.

Është i kuptueshëm ky shpenzim i qeverisë për aparatin represiv ngaqë drejtorët e paaftë të shtetit do të duhet të lodhen fort duke thyer protesta paqësore të qytetarëve dhe mbushur burgjet me njerëz të varfër për krime të vogla.

Shpenzimet për luks privat me paratë publike janë modë në qeverinë Rama. Sipas Open-Data, vetëm në 2021 kabineti qeveritar ka shpenzuar 654.000 euro për udhëtime nëpër botë, ndërsa vetë Edi Rama shpenzon mesatarisht 200.000 euro bileta avioni në vit.

Që nga marrja e pushtetit në 2013 dhe deri në 2020, qeveria ka shpenzuar 25 milionë euro për mobilim zyrash, 109 milionë euro për rikonstruktim të ndërtesave shtetërore, 85 milionë euro blerje/servis veturash dhe 3.2 milionë euro veç për zyrat e kryeministrisë.

Sa më e thellë bëhet kriza për qytetarët, aq më të mëdha janë shpenzimet e luksit për Edi Ramën, i cili përzë mijëra familje të varfra nga asistenca sociale dhe rrit me 2.000 lekë të reja pagën minimale për mbi 300.000 punëtorë në pikun e krizës. Pra as një bukë në ditë.

Për një qeveri, luksi i shfrenuar është shprehje e rritjes së varfërisë dhe sundimit autoritarist, por edhe pakënaqësisë së popullit. Qeverisë së drurit të arrës, herët a vonë nuk do t’i vyejë as druri dhe as arra përballë popullit më të varfër e të nëpërkëmbur në Europë.

Skip to content