BUJQIT DHE FERMERËT NË PROTESTË SË BASHKU ME PUNËTORËT

Bujqësia është në krizë. Fermerët janë në prag të falimentimit. Produktiviteti i punës është i ulët, çka tregohet nga fakti se në bujqësi janë të angazhuara 41% e forcës punëtore, por prodhohet vetëm 19% e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shteti ka dështuar në sigurimin e infrastrukturës së domosdoshme bujqësore si rezervuarët dhe kanalet vaditëse. Po ashtu subvencionet shtetërore janë jo vetëm shumë të ulëta, por edhe shpërndahen në mënyrë klienteliste sipas linjave politike të qeverisë. Zyrtarët shtetërorë vjedhin përmes skemës së subvencioneve, të cilat hera-herës shkojnë për sera dhe ndërmarrje bujqësore fiktive në vend që të mbështesin fermerët e vërtetë dhe produktivë.

Një prej problemeve kryesore të fermerëve është roli oligopolist i importuesve të farave dhe plehrave kimike. Shqipëria dikur ka pasur fabrika të prodhimit të plehrave kimike, të cilat janë privatizuar dhe çuar për skrap, duke e lënë këtë sektor kyç të bujqësisë në duart e 2-3 spekulantëve të lidhur me pushtetin. Këta të fundit nuk mbajnë përgjegjësi për cilësinë e farave e plehrave kimike dhe vendosin çmime abuzivisht të larta.

Fermerët janë të diskriminuar edhe në raport me grumbulluesit dhe eksportuesit e produkteve të tyre. Këta të fundit, duke zënë pozita kyçe në zinxhirin bujqësor, ua marrin fermerëve produktet me çmime shumë të lira dhe i shesin ato me çmime shumë të larta të tregun ndërkombëtar. Ata pasurohen e pasurohen, ndërsa fermerët, prodhuesit e vërtetë, janë në zgrip të falimentimit.

Shumë fermerë po falimentojnë edhe si rezultat i rritjes së kostos së naftës dhe inputeve të tjera bujqësore. Qeveria vazhdon të taksojë këto të fundit, çmimi i të cilave është rritur edhe në tregun ndërkombëtar, edhe si rezultat i pozitës oligopoliste të importuesve të tyre. Rivendosja e TVSH mbi produktet bujqësore po rrit artificialisht çmimin e tyre dhe po e bën akoma edhe më të vështirë mbijetesën e fermerit.

Në rrethanat ku të ardhurat e fermerëve janë të ulëta dhe herë pas here rrezikohen nga falimentimi, pasiguria e fermerëve shprehet edhe në faktin se 80% e sektorit bujqësor mbetet në informalitet. Fermerët e vegjël nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar kontributet e tyre shoqërore e shëndetësore. Edhe fermerët pak më të mëdhenj, të cilët punësojnë disa punëtorë, shpesh herë nuk arrijnë të sigurohen. Dhe, për pasojë, edhe punëtorët e tyre, bujq edhe më të varfër dhe të keqpaguar, janë jashtë skemës së sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Çka do të thotë se të moshuarit e të nesërmes në fshat do të jenë pa pensione, duke pasur si shteg mbijetese vetëm solidaritetin financiar të familjarëve në emigracion.

E rëndë është situata edhe për bujqit e vegjël, të cilët punojnë në ngastrat e tokës familjare për të plotësuar një pjesë të nevojave ushqimore dhe tepricat e pakta i nxjerrin në tregun e qyteteve. Sidomos në Tiranë këta shitës të vegjël produktesh bujqësore përndiqen nga Policia Bashkiake, duke u pamundësuar mbijetesën.

Në këto kushte, mbijetesa ekonomike e bujqve dhe fermerëve, si dhe fati i bujqësisë shqiptare, varet nga bashkimi i forcave shoqërore për ndryshim rrënjësor. Shqipëria ka nevojë për politika të forta mbështetëse për bujqësinë dhe fermerët – përmirësim të infrastrukturës, subvencione dhe lehtësi fiskale, por edhe për luftë ndaj oligopoleve, spekulimit dhe korrupsionit qeveritar.

Të tilla qëllime nuk mund të realizohen vetëm. Fati i fermerëve është i lidhur me atë të punëtorëve dhe çdo qytetari të ndershëm që i do të mirën vendit të tij.

Prandaj u bëjmë thirrje të gjithë bujqve, fermerëve dhe punëtorëve të bujqësisë që të bashkohen në protestën popullore të 1 Majit.

Bashkë mund t’ia dalim!

KOHA NUK PRET MË!

#1MajiNaBashkon

Skip to content