1 PRILLI I PAGËS MINIMALE

Sot, më 1 prill, hyri në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale nga 30.000 lekë në 32.000 lekë. Si për ironi, 1 Prilli i gënjeshtrave nxjerr në pah edhe gënjeshtrën e madhe në lidhje me pagat.

Sipas dokumentit të pagave të publikuar disa muaj më parë, 38% e shqiptarëve punojnë me pagë minimale ose me më pak se paga minimale. 24% nuk paguhen më shume se 50.000 lekë të reja në muaj. Ndërsa në total, 92% e të punësuarve nuk merrnin më shumë se 100.000 lekë të reja në muaj.

Ndërkohë që ushqimet e shportës në pak javë janë shtrenjtuar me mbi 30%, rritja me 2000 lekë e pagës minimale dhe me 3000 lekë(për vetëm tre muaj) e pensioneve minimale nuk mund të quhet as indeksim, por përqeshje e punëtorëve dhe pensionistëve nga pushtetarët e pasurive të pafundme.

Statistikat sociale në Shqipëri janë seriozisht shqetësuese. Ne vazhdojmë të mbetemi një nga vendet më të varfra në Evropë, ku spikatin për së keqi niveli më i ulët i të ardhurave mesatare për frymë, vendi i parafundit në Ballkan për pagën minimale dhe pa një ligj për minimumin e nevojshëm jetik.

Në këtë situatë të gjithë qytetarët që jetojnë përmes punës së tyre të ndershme, ose kërkojnë punë të ndershme, duhet t’i lënë anash diferencat partiake, dhe të bashkohemi rreth rezistencës së përbashkët të punës dhe perspektivës, kundër krizës artificiale të qeveritarëve, oligarkëve dhe spekulantëve.

Ne duhet ta refuzojmë kolektivisht në çdo rrafsh të jetës shoqërore 1 Prillin e shtetit të Edi Ramës, Samir Manes dhe Shefqet Kastratit, shtetit të koncesioneve dhe inceneratorëve.

Aty ku ka revoltë, ka shpresë!

#Bashkohemi

Skip to content