1 MAJI NA BASHKON

Shqipëria po kalon një prej krizave më të rënda ekonomike të 30 viteve të fundit. Janë rritur në mënyrë marramendëse të gjitha çmimet, sidomos të ushqimeve dhe karburantit. Qeveria pritet të rrisë së shpejti edhe çmimin e energjisë elektrike.

Papunësia zyrtare është 11.4%, ndërkohë që papunësia reale prek pothuajse çerekun e popullsisë. Shumë njerëz janë të detyruar të mos kenë punë të rregullt dhe të ardhura të qëndrueshme. Ndërkohë që shumica dërrmuese e punëtorëve paguhen si mos më keq, shfrytëzohen me intensitet të lartë dhe nuk përballojnë dot rritjen e çmimeve. Në ndërtim, miniera dhe sektorin energjetik vdekjet dhe aksidentet në punë po rriten frikshëm.

Të rinjtë janë pjesa më e nëpërkëmbur e shoqërisë. Shumë prej tyre janë të detyruar të braktisin shkollën. Studentët kanë humbur perspektivën e punës në profesion dhe janë të detyruar të bëjnë punë nga më të vështirat për të përballuar koston e studimeve. Shumica dërrmuese e tyre nuk shohin alternativë tjetër përveç emigrimit.

Bujqit, dyqanxhinjtë dhe të vetëpunësuarit janë në zgrip të falimentimit.

Mësuesit, nëpunësit e thjeshtë dhe profesionistët në sektorin jopublik po bien nga pozitat e klasës së mesme dhe po humbasin ato pak të drejta që kanë fituar më parë.

Kjo gjendje nuk është predispozitë e natyrshme e shqiptarëve, as është prodhuar nga lufta në Ukrainë. Ajo është rezultat i një lufte ekonomike më të hershme dhe mizore që oligarkët dhe pushtetarët kanë shpallur ndaj 99% të shoqërisë.

Për t’i dhënë fund ortakërisë korruptive midis qeverisë dhe oligarkëve;

për të kërkuar politika mbështetëse për ekonominë e njerëzve të thjeshtë;

për të fituar të drejta sociale të mohuara si minimumi jetik e paga minimale e dinjitetshme;

për të ngritur krye kundër padrejtësive të gjithanshme shoqërore;

për të ndërtuar infrastrukturën e shpresës;

në 1 MAJ,

në ditën ndërkombëtare të njerëzve të punës,

bashkohemi në protestën popullore.

KOHA NUK PRET MË!

#1MajiNaBashkon

Skip to content