Punëtorët e transportit po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë. Megjithatë kushtet e punës, pagat dhe perspektiva e tyre është më e zymtë se kurrë.
Kushte pune veçanërisht të vështira kanë shoferët dhe faturinot e linjave të shumta urbane dhe ndërurbane. Në linjat urbane të Tiranës shumica e shoferëve nuk kanë të drejtë të bëjnë asnjë minutë pushim gjatë 8-orëshit të punës, çka ndikon në tejlodhjen e tyre dhe rrezikimin e pasagjerëve. Në shkelje të Kodit të Punës, ata kanë vetëm një ditë pushimi në javë, edhe këtë të fundit me kushtin e të punuarit 12 orë pa pushim ditën pararendëse. Ndërkohë mbi ta ushtrohet presioni dhe nganjëherë kërcënimet e dhuna e dispeçerave të pronarit.
Qeveria është kujtuar të subvencionojë pronarët e linjave në këtë kohë krize, por nuk ka marrë asnjë masë për pagat dhe kushtet e punës së shoferëve e faturinove.
Nga ana tjetër në Shqipëri punojnë rreth 3000 taksistë, të cilët më shumë se kushdo tjetër po ndjejnë efektet e rritjes së çmimit të naftës. Gjatë protestave të shumta ata kanë kërkuar uljen e TVSH për shërbimin taksi dhe të tjera subvencione. Sidomos në qytetin e Tiranës taksistët e vetëpunësuar ankohen se bashkia ua rezervon vendet më të mira kompanive të taksive. Në këto të fundit, taksistët dëshmojnë se shfrytëzohen pa kriter, duke u detyruar të rrinë 12 orë në punë dhe të bëjnë vetëm një ditë pushimi në javë.
Ndërkohë në vendin tonë po shtohet me ritëm të shpejtë numri i transportuesve të porosive e të mallrave. Kushtet e tyre të punës janë tejet të vështira. Shumë syresh detyrohen të punojnë 10-12 orë në ditë, pavarësisht kushteve atmosferike dhe trafikut të qytetit. Në shumë raste intensiteti i porosive është aq i lartë, saqë transportuesit me motorë shtrëngohen të ecin me shpejtësi të lartë, duke rrezikuar aksidente dhe gjoba – për të cilat kompanitë e transportit nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. Në të shumtën e rasteve, këta punëtorë paguhen zyrtarisht me pagë minimale. Ndërkohë që pjesa tjetër e pagës varet nga numri i porosive gjatë ditës, çka e bën të pasigurt nivelin e pagës së tyre reale dhe ndikon në pensionet e ulëta të së nesërmes.
Në Shqipëri sektori i shërbimeve të tregut është në vend të dytë, pas bujqësisë, për numrin e të punësuarve (rreth 27%). Mes tyre punëtorët e transportit janë ndër më të shfrytëzuarit, të keqpaguarit dhe të rrezikuarit nga aksidentet dhe sëmundjet profesionale. Te ta pronarët e mëdhenj nuk shohin njeriun, por instrumentin e fitimit. Ndërkohë që shteti, në rastin më të mirë, është tërësisht indiferent.
Për të gjitha këto arsye shoferët, faturinot, taksistët, motoristët dhe të gjithë punëtorët e transportit duhet të bashkohen në protestën e 1 Majit.
Në 1 Maj, në orën 11:00, nga sheshi Skënderbej te Kryeministria!
Punëtorët e bashkuar kanë për të fituar!