1 Maji lindi nga lufta e punëtoreve e punëtorëve për më shumë të drejta në vendin e punës, liri në shoqëri dhe kushte më të mira jetese. Deri më sot kanë ndryshuar pak gjëra, por përsëri gjendja e njerëzve të punës, sidomos në Shqipëri, mbetet si mos më keq.
Në Shqipëri sektori më i rëndësishëm dhe në ekspansion i ekonomisë është ai fason, ku numri i grave të punësuara është dominues. Kushtet e punës së tyre janë shumë të këqija dhe pagat janë nga më të ulëtat, në plot raste edhe më pak se paga minimale. Kriza ekonomike i ka thelluar më shumë problemet e tyre dhe të shumicës dërrmuese të shoqërisë.
Për shkak të pabarazisë dhe diskriminimit gjinor, gratë bëjnë punët më të nënvlerësuara dhe të keqpaguara në ekonomi. Shpesh herë ato detyrohen të punojnë në shtëpi, punë e cila as njihet nga shteti dhe as vlerësohet shoqëria. Mbi to rëndon barra e disafishtë e punës me mëditje, punës riprodhuese dhe detyrimeve sociale shtypëse.
1 Maji është dita që kujton rolin themelor të punës në shoqëri. Prandaj kjo datë – në histori dhe aktualitet – u përket në radhë të parë grave, mbi shpatullat e të cilave ngrihet më shumë se ngado tjetër një rend klasor shfrytëzues dhe shtypës. 1 Maji i përket luftës së tyre, së bashku me shokët e punës dhe të kauzave emancipuese, për një shoqëri vërtet të lirë, të barabartë dhe të begatë.
Gjendja e grave dhe e të gjithë njerëzve të punës mund të ndryshojë veçse duke u organizuar – në vendin e punës e të banimit, në sindikata dhe lëvizje shoqërore. Sot, kur kriza ka ngërthyer çdo aspekt të jetës shoqërore, rezistenca e tyre duhet të jetë më e fortë se kurrë.
Prandaj në 1 Maj gratë do të marshojnë nga periferitë e punës, banimit dhe vëmendjes shoqërore për të protestuar për mirëqenie, drejtësi shoqërore dhe barazi. Në orën 11:00, nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë.
Punëtore e punëtorë, gra e burra të punës e të jetës me sakrifica, së bashku në 1 Maj!
Për Njëri-Tjetrin! Për Shoqërinë!
#1MajNaBashkon