PSE VAZHDON TË RRITET ÇMIMI I NAFTËS?

Çmimi i naftës është rritur për herë të tretë brenda vetëm dy ditëve, duke përbërë një rekord historik me 230 lekë për litër. Arsyeja e vetme që citon qeveria Rama është rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë, që e ka çuar vlerën në 90 dollarë për fuçi. Por mbi xhepat e shqiptarëve rëndojnë marrëveshjet me oligarkët dhe keqqeverisja.

Pavarësisht rritjes në tregjet ndërkombëtare, vendet me çmimet më të ulëta të naftës renditen ato që kanë rezerva të naftës: Irani, Venezuela, Libia etj. Shqipëria është një vend naftëmbajtës me rreth 400 milionë tonë, nga të cilat vetëm 1/8 janë shfrytëzuar. Megjithatë, sektori i privatizuar i naftës eksporton të gjithë naftën që del nga nëntoka jonë. Rrjedhimisht, nafta që konsumojnë shqiptarët është e gjitha e importuar, ku oligarku kryesor i saj është Shefqet Kastrati.

Nga përpunimi i naftës së nxjerrë në rafinerinë e Ballshit – nëse do punonte me kapacitet të plotë – mund të plotësoheshin nevojat e 33% të tregut vendas. Megjithatë, Edi Rama nuk mund të lejonte që mikut të tij, Shefqetit, t’i hiqej nga kontrolli 1/3 e tregut të naftës. Prandaj Edi Rama e shembi rafinerinë e naftës dhe naftëtarët i hodhi në rrugë.

Arsyeja tjetër pse çmimi i naftës ka arritur shifra rekord, janë taksat që qeveria ia merr popullit shqiptar. Pas rritjes së fundit, nga 230 lekë për litër, rreth 130 lekë janë taksa, të cilat nën qeverisjen e Ramës janë shtuar me rreth 40%.

Rritja e çmimit të naftës nënkupton edhe rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga taksimi. Prandaj qeveria e Ramës, nëse do ruante nivelin e të ardhurave para rritjes së çmimit (duke ulur taksat) do mund t’ua lehtësonte barrën shqiptarëve. Por jo! Qeveria na zhvat dy herë: një herë duke e mbajtur monopolin në duart e Kastratit – norma e fitimit të të cilit nuk preket – dhe herën e dytë duke vjelë më shumë taksa nga xhepat e shqiptarëve, pavarësisht se rritja e naftës shoqërohet me rritjen e gjithë produkteve ushqimore.

Jetojmë në oligarki.

Skip to content