Kriza ekonomike po thellohet përditë. Çmimi i karburantit ka arritur sërish në nivel skandaloz, ndërkohë që vazhdojnë të rriten edhe çmimet e ushqimeve. Vetëm pagat kanë mbetur në vend.
Mbrëmë aktivistët e Organizatës Politike kanë përhapur nëpër Tiranë kërkesat kryesore të Kartës Sociale. Çdo njeriu në Shqipëri i takojnë së paku 18.000 lekë në muaj për të jetuar. Ky minimum jetik është i domosdoshëm si kusht ligjor i rritjes së pensioneve, ndihmës ekonomike dhe asistencave të tjera sociale. Po ashtu punëtorët kanë nevojë për paga më të larta, të cilat u përgjigjen edhe intensitetit të lartë të punës, edhe nevojave bazike në kushtet e rritjes së çmimeve. Paga minimale prej 43.000 lekësh në muaj do të na vendoste në nivelin e mesatares së vendeve të rajonit. Të dyja këto kërkesa mund të realizohen vetëm duke rishpërndarë pasurinë nga oligarkët drejt pjesës tjetër të popullsisë përmes një sistemi taksimi vërtet progresiv dhe të drejtë.
Shkaktarët kryesorë të kësaj krize janë në krye të qeverisë dhe në zonat e errëta të pushtetit ekonomik. Prandaj lufta jonë kundër tyre dhe për drejtësi shoqërore nuk mund të ndalet. Ajo do të intensifikohet.
#KartaSociale