NJË TELEFON I PRISHUR BREDH NËPËR FURRA BUKE

Edhe këtë të dielë – ashtu si një javë më parë – Edi Rama u gdhi në furra buke duke tentuar dëshpërimisht të sfumojë pakënaqësinë qytetare me rritjen e çmimeve dhe kostove të jetesës.

Të dielën e kaluar ai ua vodhi ditën e pushimit një kolektivi bukëpjekësesh, të cilat dëgjonin me detyrim përroin e tij psikik. Por sot në furrën e bukës ai u përball me një punëtor ndërtimi, i cili i kërkoi kryeministrit kartë shërbimesh që e njeh atë si të tillë.

Ai, Edi Rama, vizionari i madh, jo që nuk denjoi ta dëgjonte deri në fund punëtorin e ndërtimit, por, ç’është më skandaloze, i tha të kërkonte te e-Albania, a thua se punëtori lypte certifikatë familjare dhe jo më shumë të drejta sociale si punëtor ndërtimi.

Dukshëm dialogu i Ramës është bërë monolog dhe paaftësi për të dëgjuar qytetarët. Sot, ashtu si një oligark, një punëtor paguan 20% taksë për çdo bukë të blerë. Është ai që vdes në kantieret e oligarkëve dhe paguhet 15 mijë lekë të vjetra në ditë, në katin e 20-të, në mes të Tiranës.

Me një kryeministër si Rama dialogu në kushte normale është bërë i pamundur. Prandaj për një qytetar që jeton me punën e tij të ndershme dalja në rrugë, masivisht, është gjuha e vetme me të cilën mund të flitet me të, ku në horizont duket një katastrofë të mundshme sociale.

Edi Rama duhet t’i lërë monologjet, show-n dhe telefonatat me oligarkët dhe t’u përgjigjet nevojave emergjente të qytetarëve.

Skip to content