KALORËSI I APOKALIPSIT DHE MARI ANTONETA TALLEN ME BUKËN E POPULLIT

Dalja publike e kryeministrit Edi Rama dhe ministres Belinda Balluku në lidhje me krizën e përgjithshme të çmimeve, është pak ta quash skandaloze.

I pari, me fjalët e një profeti të apokalipsit dhe jo të një pushtetari me përgjegjësi, deklaron se çmimet do të rriten më tej dhe qeveria nuk ka se çfarë të bëjë. Për Ramën, më afër është fundi i botës se ideja e heqjes së ndonjë takse për qytetarët apo shtimit të tyre për ata që janë pasuruar jashtë çdo imagjinate duke abuzuar me pasurinë publike.

Po aq qesharake dhe revoltuese është edhe ministrja Balluku, e cila deklaroi se karshi rritjes së çmimit të naftës qytetari duhet të ecë në këmbë dhe të mos dalë të blejë bukë me veturë. Kjo farë logjike tregon se sa moskuptues të gjendjes së vështirë të qytetarëve dhe sa përbuzës ndaj tyre janë këta qeveritarë.

Nga dita në ditë, deklarimet publike të Ramës jo vetëm që nuk sqarojnë asgjë, por e shtojnë mjegullën e frikës dhe panikut për njerëzit e varfër si dhe terrenin për spekulim me çmimet të tregtarëve, oligarkëve, miqve të pushtetit etj.

Ashtu siç thotë edhe Edi Rama, kjo është luftë. Por jo një luftë si ajo ruso-ukrainase, me pamjen e së cilës Rama lyp të zhvatë përmes shantazhit një popull të tërë. Kjo është lufta që ai Shefqet Kastrati, Samir Manja etj. i kanë shpallur qindarkës së fundit të qytetarit.

Rama dhe Balluku mendojnë se përmes mospranimit të realitetit dhe përqeshjes së tij mund t’ia dalin ta mbajnë nën kontroll situatën, por historia ka treguar se cinizmi është kapitulli i fundit i pushtetarëve të papërgjegjshëm si dy të lartpërmendurit e parespektuar.

Skip to content