Për shumëkënd Edi Rama mund të duket si një lider me pushtet absolut. Por Edi Rama në këtë moment është një lider të cilit i dridhen këmbët.
Pushteti i tij nuk buron nga populli, por nga oligarkët. Ai i ka shërbyer me devotshmëri interesave të Samirit, Çetit, Pëllumbit, Vilmës etj., prandaj në këtë moment krize e ka të pamundur që t’i shërbejë interesave të popullit shqiptar.
Cili lider i thotë popullit të vet se ai nuk mund të ulë çmimin e naftës që e ka në dorë Kastrati, edhe pse vendi ka 400 milionë tonë naftë në nëntokë?!
Cili lider që e ka boshatisur arkën e shtetit përmes PPP-ve nuk guxon të ulë taksat e naftës nga frika se po falimenton shtetin?!
Sa miliarda euro kanë shkuar për PPP e koncensione? 400 milionë eurot e inceneratorëve-fantazëm vazhdojnë t’u paguhen disa të arratisurve që shteti shqiptar ende nuk i ka shpallur në kërkim ndërkombëtar. 38 miliardë lekë koncensione në shëndetësi nuk i vlejtën popullit gjatë pandemisë, kur në Shqipëri patëm dyfishin e rritjes së vdekjeve krahasuar me mesataren evropiane.
Një lider i kapur kokë e këmbë nga oligarkët, sigurisht që nuk mund të marrë masa në mbrojtje të popullit të tij në kohë krizash.
Atëherë, çfarë i ngelet një shtetari oligarkësh për të bërë? Dy gjëra:
E para është propaganda – Edi Rama nxori Mari Antuanetën t’i thotë popullit që të lëvizë në këmbë. Po buka, vaji dhe mielli nuk lëvizin dot në këmbë, prandaj çmimet e ushqimeve bazike po shkojnë në qiell, teksa 1/3 e popullsisë jeton në kufirin e varfërisë.
E dyta është dhuna – por Rama nuk është Putini. Arrestimi i shumë të rinjve pas protestës paqësore – mes tyre edhe dy aktivistëve të Organizatës Politike, Bislim Lakna dhe Enriko Peçuli – është vetëm shenja se ky aparat represiv kaq mund të bëjë, nuk ka legjitimitetin e nevojshëm në popull për të qenë më i dhunshëm se kaq.
Prandaj Edi Rama nuk ka nga t’ia mbajë. Prandaj pushtetit të tij – dhe pushtetit të oligarkisë pavarësisht se kush rri ulur në karrige – po i afron dita-ditës fundi nga rinia që rebelohet.
– Shkruan aktivisti Redi Muçi.