Në nëntor të vitit të shkuar vendi ynë rezultonte me një rritje të vdekjeve nga Covid-19 në masën 27%, sa dyfishi i mesatares së vdekjeve në Evropë. Raporti “Numbeo” për janarin e vitit 2022 e rendit Shqipërinë në vendin e parafundit për shërbime të dobëta shëndetësore.
Renditja e ulët nuk vjen si pasojë e paaftësisë profesionale të mjekëve – një ndër të paktët faktorë pozitivë të renditur në raport – por si pasojë e “cilësisë së dobët të pajisjeve mjekësore, kohës së pritjes dhe kostos së shërbimeve”.
Me fjalë të tjera, Shqipëria përgatit mjekë të aftë, por megjithatë vuan nga një sistem i mjerueshëm i shërbimit mjekësor për shkak të menaxhimit që i bën shteti sistemit shëndetësor, duke mos investuar në pajisje mjekësore, duke mos shtuar stafin mjekësor nëpër spitale e poliklinika, e duke favorizuar kështu shërbimet spitalore private me kosto të papërballueshme për qytetarët.
38 miliardë lekët e hedhura nga shteti te klientët e vetë për katër PPP, vetëm sa kanë pasuruar oligarkët e mjekësisë, pa bërë asnjë ndryshim në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Ndërkohë, mjekët e rinj emigrojnë në masë drejt Gjermanisë.
Pa një shtet social i cili merr mbi vete përgjegjësinë e ofrimit të një kujdesi shëndetësor të denjë për qytetarët shqiptarë, e njëjta situatë do vazhdojë të përkeqësohet vit pas viti. Karta Sociale është kërkesa që duhet të artikulohet kolektivisht për një jetë me shëndet dhe dinjitet.
#KartaSociale