Ditën e djeshme një tjetër denoncim tregon se edhe në lulishten e ish-Hotel Sheratonit po hidhen themelet për një kullë të re.
Pas ndërtimit te ish-këndi i lojrave “7 xhuxhat”, Erion Veliaj dhe Shefqet Kastrati i kanë vënë syrin edhe asaj ngushtice midis Universitetit Politeknik dhe stadiumit me kullë, duke vazhduar me zhdukjen e atyre pak zonave të gjelbra që kanë mbetur në Tiranë.
Parku i Liqenit Artificial është e vetmja zonë e gjelbër në qytet ku banorët mund të pushojnë, por babëzia e mafies së ndërtimit dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës duket se nuk do të ndalet derisa të nxjerrin edhe qindarkën e fundit në kurriz të të përbashkëtës dhe shëndetit.
Betonizimi i zonës së Parkut të Liqenit Artificial ka filluar nga Edi Rama me lejën e “pallatit të kuq”, ka vazhduar me Lulzim Bashën me lejet poshtë digës dhe po degradon tani me Erion Veliajn, i cili pothuajse çdo muaj i kafshon një copë gjelbërimit të qytetit.
Prej disa muajsh Organizata Politike ka nisur aksionin kombëtar Karta Sociale, për më shumë të drejta ekonomike dhe sociale, ku përfshihet edhe mbrojtja e mjedisit dhe hapësirave të përbashkëta. Qytetarët e thjeshtë kanë nevojë sa për punë, paga të mira dhe shërbime sociale dinjitoze, aq edhe për hapësira çlodhëse dhe mjedis të pastër.
Bashkohuni me Organizatën Politike për PUNË DHE JETË ME DINJITET!
#KartaSociale