Përtej pamjeve televizive të turistëve të cilët shijojnë pushimet verore në brigjet e Durrësit, shoqëruar me koktejle dhe fytyra të qeshura, e vërteta e qytetit është krejtësisht e kundërta. Durrësi, qarku i dytë për nga popullsia në vendin tonë dhe bashkia me buxhetin më të lartë, është qyteti i përmbytjeve masive sapo fillojnë reshjet, i mungesës së energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, i ndotjes deri në shkatërrim të vijës bregdetare dhe i varfërisë që rritet dita-ditës.
Pavarësisht se në Durrës gjendet porti më i madh në vend dhe, sipas statistikave, është qarku me përqindjen më të lartë të punësimit në industri, përfshirja e popullsisë në forcat e punës renditet e treta për nga fundi, ndërkohë papunësia është mbi mesataren e vendit. Hendeku gjinor sa i përket punësimit është më i madh se kudo tjetër dhe qarku shënon uljen më të madhe të shpenzimeve familjare të konsumit përgjatë viteve të fundit.
Pabarazia midis qendrës dhe periferisë është mbytëse dhe ndëshkuese. Të gjitha mundësitë e punësimit, shërbimet dhe qendrat e aktiviteteve kulturore janë të përqendruara në një pellg të vogël të privilegjit, ndërkohë periferitë gjenden nën mëshirën e fasonerive dhe pikave të grumbullimit dhe djegies së plehrave. Transporti publik, i cili është i vetmi mjet udhëtimi drejt qendrës për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, karakterizohet nga autobusët e tejmbushur, vonesat dhe kërcënimi i vazhdueshëm për rritjen e çmimit të biletave.
Pjesa dërrmuese e rinisë në Durrës punon në sektorin call center, në kompani private të cilat nuk zbatojnë asnjë pikë të Kodit të Punës, të ndihmuara nga neglizhenca e institucioneve përgjegjëse. Të detyruar të zgjedhin midis punës ose shkollimit, shumë prej tyre i braktisin studimet duke zgjedhur kushtet skllavëruese si e vetmja mundësi mbijetese.
Në një shëtitje rrugëve të qytetit, nuk është e pazakontë të ndeshësh banesa të rrënuara dhe të braktisura, gërmadha pa jetë të lëna në harresë. Ende sot, më shumë se dy vite pas tërmetit të vitit 2019, familje të tëra jetojnë në shtëpi me qira, të detyruar shpesh të presin orë të gjata dyerve të bashkisë për të marrë vërtetimet e pagesave dhe shpesh, pasi përballen me arrogancën e burokracisë, kthehen duarbosh.
Tregues i varfërisë dhe mjerimit është kriminaliteti në rritje i moshave të reja. Durrësi renditet i dyti ndër qarqe sa i përket kryerjes të veprave penale nga të miturit, dhe gjatë viteve të fundit shënon rritjen më të madhe të popullsisë së burgjeve.
Bregu i detit duket e vetmja mundësi arratisjeje nga zymtësia e qytetit të varfër, por dhe atje, në bashkëjetesën e ndotjeve dhe restoranteve luksoze, shumësia e qytetarëve e kanë të pamundur të shijojnë një kafe për shkak të çmimeve absurde.
Gjithçka në Durrës ulërin dhunshëm se Karta Sociale është domosdoshmëri për të përmbysur realitetin thuajse distopik të qytetit ku pasuritë historike dhe kulturore shërbejnë si kantiere ndërtimi. Në takimet me qytetarët vërehet se jetësimi i kërkesave tona është i mundur, nëse së bashku vendosim të hedhim hapin përpara drejt një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë.
#KartaSociale