21 JANARI KLITH DREJTËSI E REVOLTË

Të gjithë e dimë se më 21 janar të 2011 armët e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës vranë katër qytetarë.

Të gjithë e dimë se ata u vranë për të mbrojtur bllokun e zi të 7% të Ilir Metës.

gjithë e dimë se ata u tradhtuan nga Edi Rama, i cili ia mbathi pa filluar mirë protesta.

Të gjithë e dimë se vdekja e tyre vazhdon të përdoret për të justifikuar krimet e vazhdueshme që qeveria aktuale kryen ndaj popullit.

Të gjithë kemi pritur më kot që në këta 11 vjet të vendosej drejtësi.

Sot varfëria, korrupsioni dhe padrejtësitë shoqërore që sollën 21 Janarin janë edhe më të thella. Punëtorët vdesin në galeri e skela ndërtimi, të rinjtë nuk gjejnë punë e perspektivë, të moshuarit nuk shtyjnë dot muajin, bizneset e vogla falimentojnë dita-ditës. Një shoqëri e tërë e grabitur dhe poshtëruar.

Në anën tjetër të litarit shoqëror, një grusht oligarkësh shton marramendshëm pasurinë në ujdi me pushtetarë të korruptuar dhe “opozitarë” të kompromentuar. Së bashku gllabërojnë burime natyrore, troje, plazhe, lumenj e buxhetin e shtetit; shfrytëzojnë punën dhe kapacitetet tona krijuese; përthajnë çdo mundësi ekonomike, duke na shtyrë të urrejmë njëri-tjetrin. ATA do të vazhdojnë kësaj rruge nëse NE nuk bashkohemi, organizohemi dhe ngremë krye fuqishëm.

Ne, aktivistët e Organizatës Politike, të bashkuar me njëri-tjetrin prej tragjedisë së 21 Janarit, me besimin e palëkundur te populli, të vetëdijshëm se zullumi s’ka ku trashet më dhe me shpresën se e nesërmja do të jetë e të gjithëve, zotohemi se do ta intensifikojmë luftën kundër fajtorëve, përgjegjësve dhe përfituesve nga 21 Janari i 2011 dhe 21 janarët e përditshëm të 11 viteve të fundit.

Bashkohuni me ne!

Skip to content