VETËM DREJTËSIA SHOQËRORE MUND TË NA SHPËTOJË

Ditët e fundit të këtij viti janë mbushur me skandale të njëpasnjëshme, të cilat tregojnë karakterin grabitqar dhe thellësisht të pabarabartë të sistemit politiko-ekonomik në fuqi. Tashmë edhe prokuroria ka arritur në përfundimin se pas ndërtimit të tre inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë fshihet një skemë vjedhjeje masive, ku përfshihen zyrtarë të lartë dhe biznesmenë të dyshimtë. Deri më tani prokuroria nuk ka guxuar të shkojë më larg se ish-ministri Lefter Koka dhe disa matrapazë, pas emrave të të cilëve fshihen qeveritarë edhe më të fuqishëm. Nëse hetimi do të jetë i plotë dhe i paanshëm, ne besojmë se në burg do të përfundojnë edhe Edi Rama, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj dhe e gjithë kupola mafiozo-politike që qeveris Shqipërinë. Dëmi ekonomik ndaj buxhetit të shtetit mund të përfytyrohet në dhjetëra miliona euro.

Lidhur ngushtë me çështjen e inceneratorëve është edhe shpërfaqja e pabarazive të thella në paga midis oligarkëve (të kamufluar si administratorë) e shërbëtorëve të tyre në njërën anë, dhe shumicës dërrmuese të shoqërisë që paguhet sa për të mbushur barkun me bukë në anën tjetër. Ky sistem korruptiv – që nis me koncesionet e burimeve natyrore (nafta, kromi, lumenjtë, plazhet etj.), vazhdon me partneritetet publike-private dhe përfundon me lejet abuzive të ndërtimit – u siguron oligarkëve fitime marramendëse, ndërkohë që shërbëtorëve të tyre në menaxhim dhe media paga stratosferike. Përfitues prej tij janë një grimcë numerike e shoqërisë – të specializuar në vjedhje dhe manipulim. Në Shqipërinë e sotme askush nuk meriton të paguhet 1.000.000 lekë (të reja), siç ndodh me 374 vetë (ose 0.05% më i pasur i shoqërisë). Bashkë me pronarët e tyre, ata përfitojnë nga pozitat oligopoliste në treg, kontratat abuzive me shtetin dhe një sistem tatimor favorizues.

Në anën tjetër të hendekut është 99% i shoqërisë dhe sidomos 221.381 bashkëqytetarët tanë (nga 579.287 vetë të cilët kanë të ardhura të deklaruara) të cilët paguhen sa paga minimale zyrtare (30.000 lekë) e më pak. Një prej drejtorëve të Bankers Petroleum-it Jihon Liu paguhet 2128 herë më shumë se një punëtor që merr pagë minimale, kurse drejtori i përgjithshëm i Top Channel-it Ben Blushi të paktën 562 herë më shumë. Me këtë pabarazi ekonomike të frikshme, demokracia dhe shteti i të drejtës janë fjalë boshe, të cilat shërbejnë vetëm si opium ideologjik.

Në shenjë mllefi ndaj korrupsionit dhe pabarazisë ekstreme, aktivistët e Organizatës Politike kanë ndërmarrë një aksion simbolik për t’u kujtuar bashkëqytetarëve tanë peshën e rëndë të padrejtësisë shoqërore. Mllefit tonë të përbashkët i duhet shtuar një vizion social e politik për të na treguar udhën jashtë kësaj vorbulle që po na mbyt. Prandaj ritheksojmë fuqishëm kërkesat kryesore të Kartës Sociale: minimum jetik 18.000 lekë dhe pagë minimale 43.000 lekë.

Ata që na kanë vjedhur e poshtëruar duhet ta paguajnë dyfish: edhe përpara ligjit, edhe duke u taksuar sa ç’e meritojnë.

Të bashkohemi një orë e më parë për drejtësi shoqërore!

Punë dhe jetë me dinjitet!

#KartaSociale

Skip to content