“Së pari, unë dhe shokët e mi s’jemi të PD-së. Larg qoftë! Ne jemi aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin dhe aktivistë të Organizatës Politike. Pikë!
Së dyti, revolta e djeshme ndaj Erion Veliajt ishte një nga përpjekjet tona më modeste për ta kthyer vëmendjen nga e vërteta që ne e artikulojmë përditë. Ju premtojmë se përpjekjet tjera nuk do të jenë kaq modeste.
Së treti, spektakli i djeshëm ishte katërçipërisht i pështirë. Nga adoleshentë e të mitur që gjysmëlakuriq argëtojnë turmën me në krye ministra, kryetarë, ambasadorë e drejtues shteti, e deri te deliri i z. Veliaj për suksesin ndërkombëtar në “fushën e rinisë”.
Së katërti, dje unë arrita të thosha vetëm të vërtetën e parë përpara se të më nxirrnin jashtë forcërisht. Po fatmirësisht ne jemi shumë dhe shoqet më plotësuan me të vërtetat e tjera.
E vërteta e rinisë shqiptare nuk është spektakli me drita, por deti i madh i të rinjve që rropaten në punë të vështira me kushte skandaloze për të paguar tarifat e shkollimit a thjesht për të siguruar mbijetesën.
E vërteta e rinisë shqiptare nuk është parajsa e punësimit në administratë nga partia, por dyert e ambasadave dhe kamionët e mbushur plot për në Gjermani e Angli.
E vërteta e rinisë shqiptare nuk është jeta e natës në bllok, por jeta e errët në miniera, fasoneri e call center-a.
E vërteta e rinisë shqiptare është e ngjashme me atë të Klodian Rashës dhe Ardit Gjoklajt, ku rreziku që të vdesësh nën hundën e shtetit është më i madh se mundësia që të të shpëtojë jetën ambulanca.
E vërteta e rinisë shqiptare nuk është entuziazmi i estradës së koncerteve dhe spektakleve, por dëshpërimi i thellë dhe mungesa e besimit se një ditë në këtë vend mund të jetohet me dinjitet.
Këto janë disa nga të vërtetat e rinisë shqiptare. Për këto të vërteta ka edhe fajtorë, edhe përgjegjës, e mes tyre padyshim që është edhe emri i famëkeqit Erion Veliaj.
Këto të vërteta do t’i themi, rithemi e stërthemi! Zhurma e mikrofonave tuaj nuk mjafton për ta mbuluar buçimën që na del nga shpirti i mbushur plot mllef e revoltë, të cilën po e zbrazim çdo ditë në organizim, e së shpejti edhe në sheshe.”
– Bislim Lakna, aktivist i Organizatës Politike