Shumëkush e njeh Shkodrën e kulturës, dijes dhe poezisë, një prej shtyllave më të rëndësishme të historisë sonë. Po pakkush jashtë saj njeh Shkodrën e shfrytëzimit të punëtorëve dhe varfërisë së shumë prej qytetarëve të saj.
Si qark, Shkodra renditet e dyta nga fundi për pagën mesatare mujore: 41.573 lekë. Ndonëse në qytetin e Shkodrës janë të regjistruara rreth 40 fasoneri, një pjesë e madhe e të cilave punësojnë rreth 100-200 punëtorë, kushtet e punës dhe pagat janë të mjerueshme. Gjatë ditëve të fundit jemi takuar me shumë punëtorë dhe jemi përballur me dëshmitë e tyre rrëqethëse. Punëtoret na thonë se ndonëse e marrin pagën në bankë, janë të detyruar t’i kthejnë nën dorë pronarit një pjesë të saj – si haraç feudal në shekullin XXI. Të tjera ankohen për dhunën psikologjike gjatë punës – “nuk na lenë as të themi mirëmëngjes” – rrëfen një punëtore. “Një shoqja ime ka dështuar fëmijën si pasojë e presionit dhe stresit të madh në punë.” – tregon një tjetër. Po ashtu është i zakonshëm mospagimi i raporteve mjekësore dhe nxjerrja në punë gjatë ditëve të pushimit, pa u mundësuar punëtorëve pagesën shtesë sipas Kodit të Punës.
Shfrytëzimi i punëtorëve në qytet shkon bashkë me kushtet e këqija të bujqve, të cilët përbëjnë afërsisht gjysmën e popullatës punonjëse në Qarkun e Shkodrës. Bujqësia goditet rregullisht gjatë periudhës së reshjeve. Thuajse çdo vit zona të tëra të qarkut të Shkodrës mbulohen nga uji, duke u sjellë dëme të mëdha edhe banesave, edhe bujqësisë së zonës. Mungesa e ndërhyrjeve për përmirësimin e infrastrukturës, apo shmangia e pagesës së dëmeve për shkak të mosshpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, e përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen e fermerëve dhe banorëve të kësaj zone.
Si shumë zona të vendit, edhe Shkodra vuan nga largimi masiv i popullsisë. Për pasojë ka ndodhur edhe rrudhja e numrit të shkollave e të nxënësve, duke e goditur arsimin në këtë vend tradicionalisht arsimdashës. Për shembull, krahasuar me vitin 2017, sot në Shkodër ka 11 shkolla 9-vjeçare, 3984 nxënës dhe 348 mësues më pak.
Sidoqoftë, takimet me qytetarët e Shkodrës na japin besim se e ardhmja duhet dhe mund të ndryshojë. Jetësimi i kërkesave të Kartës Sociale bën bashkë punëtorë e të papunë, të rinj e pensionistë, studentë e të vetëpunësuar. Demokracia nuk është thjesht fjalë. Ajo ndërtohet nga përpjekjet tona të përbashkëta për mirëqenie dhe drejtësi shoqërore.
#KartaSociale
(P.s: në këtë fotografi është zona industriale e Shkodrës, një pjesë e mirë e së cilës ka ngelur gërmadhë.)