Në Bulqizë vazhdon makabriteti i vdekjeve në punë që pronarët tentojnë t’i fshehin.
Kësaj radhe ishte 65-vjeçari Mustafa Kamishi, në familjen e të cilit këtë fundvit nuk do të ketë festë, por kujë.
Pa asnjë kriter sigurie, mbi një varkë të improvizuar, Mustafai ra në ujë dhe u mbyt. Drejtuesi i Fabrikës së Pasurimit të Kromit, Islam Nika, e zhvendosi trupin nga vendi i ngjarjes dhe ua çoi familjarëve, me pretendimin se vdekja vinte nga shkaqe natyrore.
Kjo është ndër të shumtat herë kur trupat e pajetë të punëtorëve zhvendosen për t’ia hedhur fajin e vdekjes viktimës. Kufoma të mbuluara nga balta dhe shkëmbinjtë që nxirren e çohen në mal për t’u hedhur në ndonjë përrua. Bulqiza është kthyer në varrin e hapur me numrin më të lartë të vdekjeve të punëtorëve në vend pas Tiranës. Vetëm në tre vitet e fundit janë plagosur 99 minatorë dhe 18 kanë gjetur vdekjen, pa llogaritur këtu aksidente apo vdekje që fshihen.
Këto mund ngjajnë si statistika lufte, por në fakt ato ndodhin në kohë paqeje – në paqen e begatë të oligarkëve që vjelin pasuritë e nëntokës së Bulqizës; në paqen e përgjakur të bulqizakëve për të cilët shfrytëzimi kthehet në mort.
Pa forcimin dhe fuqizimin e Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, do të vdesin shumë e do të arratisen edhe më shumë.