Ekzekutimi brutal i të riut Klodian Rasha më 8 dhjetor, datë që shënon edhe ditën e demostratave studentore të 1991, është jo vetëm revoltuese, por edhe dëshmi ironike e fatit, duke nxjerrë lakuriq në sytë e të gjithëve natyrën shtypëse të shtetit dhe ekonomisë grabitqare.
Ky brez – brezi i Klodian Rashës por edhe i policit që e vrau atë – i ardhur në jetë në vitet ’90 bashkë me shpresat e mëdha për një jetë më të mirë, po përjeton dhe paguan edhe me jetë tradhtimin e këtyre shpresave.
30 vite më vonë – hiq një grusht të vogël oligarkësh dhe pushtetarësh të pasuruar në kurrizin tonë – deti i madh i qytetarëve vazhdon të jetojë me pak dollarë në ditë, të dhunohet ditën për diell, të detyrohet të heshtë, të ndjejë frikë dhe të marrë rrugët e kurbetit me ankthin e të mos paturit kurrëfarë perspektive.
Ekzekutimi i Klodian Rashës dhe pasojat publike të tij, demostratat e të rinjve dhe kundërpërgjigja e pushtetit na tregoi se shoqëria jonë është ndarë në dy bashkësi: në njërën anë shumësia e familjeve punëtore dhe fëmijët e tyre pa të ardhme dhe në anën tjetër grushti i oligarkëve, pushtetarëve dhe shërbëtorëve të tyre.
Plumbi ndaj Klodian Rashës është plumb ndaj të gjithëve ne dhe ogur se nëse nuk organizohemi dhe veprojmë bashkarisht, varfëria dhe shtypja veç sa do të shtohen duke na vrarë jo vetëm si individë, por edhe si kolektiv. Klodian Rasha duhet të jetë emri i zemërimit dhe idealit tonë për një vend normal, demokratik e të begatë.