Fieri është ndër qarqet më të mëdha (i dyti) dhe më të industrializuara të vendit. Në Fier (qytet), Ballsh, Patos dhe Marinzë mijëra punëtorë shfrytëzohen për të nxjerrë dhe përpunuar naftë e hidrokarbure të tjera për llogari të oligarkëve vendas e të huaj. Po ndonëse paga mesatare mujore është në vend të dytë pas Tiranës dhe numri i ndërmarrjeve të mëdha (me mbi 50 punëtorë) vjen i treti pas Tiranës dhe Durrësit, në shumë sektorë të prodhimit punëtorët paguhen keq edhe të terma absolutë, edhe në krahasim me produktivitetin e tyre. Po ashtu, si pasojë e shkatërrimit të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, e cila po ndjek fatin e shumë veprave industriale të ndërtuara gjatë socializmit burokratik, papunësia dhe niveli i pagave industriale do të përkeqësohen.
Pavarësisht cilësive të mësipërme, Fieri mbetet një qark me varfëri të thellë në shtresat e fundit të shoqërisë. Në qarkun e Fierit përfituesit e ndihmës ekonomike janë 8 në 10.000 banorë, duke u renditur në këtë dimension të varfërisë në vend të dytë pas Lezhës. Çka shpjegohet edhe nga një nivel relativisht i lartë i papunësisë zyrtare prej 9.5%.
Nga ana tjetër qarku i Fierit karakterizohet edhe nga diferenca më e madhe e pagave midis burrave dhe grave, ku të parët paguhen 17.8% më shumë se gratë. Çka e bën edhe më urgjent aksionin dhe ndërgjegjësimin për barazi gjinore në vendin e punës dhe shoqëri.
Nuk mund të flasësh për qarkun e Fierit pa theksuar ndotjen e lartë të ajrit, tokës dhe lumenjve. Pronarët dhe koncesionarët e industrive (p.sh. në zonën e ish-Azotikut, uzina e përpunimit të naftës në Fier etj.) nuk pyesin as për fatin e punëtorëve, as për jetën e banorëve rreth e qark zonave industriale, por edhe më gjerë. Lejet mjedisore në këto sipërmarrje janë fiktive, ndërkohë që ankesat e qytetarëve bien në vesh të shurdhër pavarësisht dëshmimit zyrtar të ndotjes së lartë.
Për të gjitha këto arsye qytetarët e Fierit kanë nevojë për materializimin e kërkesave të Kartës Sociale. Puna dhe paga e dinjitetshme duhet të bëhen të drejta të pamohueshme, të cilat është e nevojshme të ndërthuren me investime në reduktimin e ndotjes dhe politika të emancipimit gjinor.
Më shumë se kudo, në Fierin e industrive ekzistojnë kushte më të favorshme për organizimin e punëtorëve; organizim i cili, siç na e mëson historia e Shqipërisë dhe vendeve të tjera, është faktor përcaktues në mobilizimin e shumësisë shoqërore për të zhvillim ekonomik, të drejta shoqërore dhe demokraci të vërtetë.
#KartaSociale