Elbasani është një nga qarqet më të varfra të Shqipërisë. Ai mbart numrin më të lartë të familjeve që marrin ndihmë ekonomike (27.4%), ndërkohë që shpenzimet mujore të konsumit familjar dhe prodhimi i brendshëm bruto për frymë shënojnë vlerën e parafundit në rang vendi.
Në këtë qark varfëria nuk përcaktohet edhe aq nga niveli i papunësisë sesa nga keqpunësimi dhe shfrytëzimi i pacak i punëtorëve. Pavarësisht çindustrializimit masiv të vendit në dekadat e fundit, Elbasani vazhdon të ruajë një dimension industrial, ku spikat metalurgjia, përpunimi i mineraleve, industria ushqimore, industria e materialeve të ndërtimit etj. Po fati i punëtorëve në to është një ndërthurje e shfrytëzimit të paskrupullt, pagave të ulëta dhe shtypjes së çfarëdo mundësie për t’u organizuar sindikalisht. Sipas të dhënave zyrtare, niveli i pagës mesatare në Elbasan është rreth 7.000 lekë më i ulët se mesatarja kombëtare.
Varfëria dhe mungesa e shpresës kanë bërë që nga Elbasani të jenë larguar 92.000 banorë që prej vitit 2001. Kjo braktisje është ndjerë edhe më fort në Universitetin Aleksandër Xhuvani, i cili në këtë vit akademik ka 10% më pak studentë të regjistruar krahasuar me vitin e kaluar. Në historinë e Shqipërisë Elbasani është shquar si një nga djepet e kulturës dhe arsimit, ndërkohë që politikat e mbrapshta qeveritare po ia zvjerdhin vit pas viti këto cilësi.
Në Elbasan e kudo nëpër Shqipëri nevoja e materializimit të parimeve e kërkesave të Kartës Sociale është e padiskutueshme. Nuk mund të ketë punë e jetë me dinjitet aty ku punëtorët nëpërkëmben e poshtërohen nga pronarë me pamje klouni apo nam krimineli, ku sytë e të rinjve nuk shohin të ardhmen por emigrimin dhe ku të varfrit e të margjinalizuarit janë të kredhur në dëshpërim.
Edhe sot do të jemi në sheshet, rrugët, fabrikat dhe shkollat e Elbasanit. Ftojmë qytetarët të informohen dhe të na bashkohen në udhën tonë të drejtë!
#KartaSociale