KUKËSI KËRKON ZHVILLIM EKONOMIK DHE TË DREJTA SHOQËRORE

Kukësi është një nga zonat më të varfra të vendit, ku mungesa e investimeve dhe zhvillimit ekonomik vazhdon të sjellë valë të pashtershme emigrimi. Prodhimi i Brendshëm Bruto për qarkun e Kukësit është 36.59% nën mesataren e vendit, ndërkohë që ky qark ka edhe përqindjen më të ulët të punonjësve në sektorin e industrisë (6.8%) dhe të ndërmarrjeve aktive (2.034). Kjo varfëri vihet re jo vetëm në zonat urbane, por edhe nëpër fshatra, ku qarku i Kukësit renditet në vendet e fundit për sa i përket sipërfaqes së mbjellë me bimë arash dhe prodhimit të perimeve e pemëve frutore.

Varfëria në qarkun e Kukësit del në pah nga numri i lartë i familjeve që marrin ndihmë ekonomike (8.335 familje), rreth 13% të totalit të familjeve që trajtohen me ndihmë qesharake ekonomike nga buxheti i shtetit.

Në Kukës, më shumë se kudo tjetër në Shqipëri, ndihet nevoja e investimeve zhvillimore publike, nxitjen e prodhimit bujqësor dhe manifakturor. Po këtë nuk mund ta realizojnë as pushtetarët e korruptuar lokalë, as qeveria e kapur prej fyti nga oligarkët.

Në mars të vitit 2018 qytetarët e Kukësit na dhanë një leksion të madh demokracie. Ata ngritën krye me forcë e dinjitet kundër haraçit feudal që qeveria e Edi Ramës vendosi në bashkëpunim me oligarkun Shefqet Kastrati në Rrugën e Kombit. Disa muaj pas asaj revolte, pishtarin e rezistencës e morën studentët, të cilët i dhanë një goditje të dytë arrogancës qeveritare.

Sot në Kukës dhe në mbarë Shqipërinë ka vetëm një rrugëdalje nga qorrsokaku i varfërimit dhe emigrimit të detyruar: organizimi shoqëror dhe bashkimi në përpjekjen për punë dhe jetë të dinjitetshme.

Karta Sociale është përmbledhja e të drejtave të mohuara dhe infrastruktura e besimit dhe shpresës që duhet të ushqejmë te njëri-tjetri.

#KartaSociale

Skip to content